Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në eventin e organizuar në Piramidën e Tiranës, ku është prezantuar platforma globale e zhvillimit të talenteve të teknologjisë, “Plug and Play”. Gjatë fjalës së tij, Rama e cilësoi këtë qendër si një hap historik në transformimin digjital të Shqipërisë.
Shqipëria, lider në qeverisjen digjitale në rajon
Rama theksoi se Shqipëria ka arritur një pozicion të avancuar në qeverisjen digjitale, duke u renditur si lider në rajon dhe ndër më të avancuarat në Europë. Sipas tij, vendi ofron aktualisht 95% të shërbimeve publike online, falë një sistemi të ri që ka mundësuar ofrimin e mbi 45 milionë shërbimeve digjitale.
“Sot kemi mbi 3 milionë përdorues, individë apo biznese, një rritje e jashtëzakonshme krahasuar me fillimet, kur ky sistem nisi me më pak se 50 mijë përdorues,” deklaroi ai.
“Plug and Play” – Një hapësirë për talentet e teknologjisë
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi se teknologjia ka krijuar mundësi të barabarta për të gjithë, pavarësisht vendit të origjinës, përkatësisë fetare apo gjuhës që flasin.
“Rëndësi ka fantazia dhe aftësia për t’u dalluar. Po ashtu, është thelbësore të ketë hapësira si kjo e ‘Plug and Play’, ku talentet mund të zhvillohen dhe të gjejnë mundësi të reja,” tha Rama.
Synimi për vitin 2030
Kryeministri u shpreh i emocionuar për këtë projekt, duke theksuar se Shqipëria është në një rrugë transformimi të pandalshëm, me synimin për të arritur nivele edhe më të larta deri në vitin 2030.
“Kjo qendër është një gur kilometrik në rrugën tonë drejt një Shqipërie tërësisht të dixhitalizuar dhe të përgatitur për të konkurruar në tregun global të teknologjisë,” përfundoi ai.