Në një takim të mbajtur sot në Gjakovë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, bashkë me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ndanë vizionin e tyre për fuqizimin e grave si themel për një shoqëri më të drejtë dhe një Kosovë më të zhvilluar. Gjakova, nën udhëheqjen e Gjinit, është shquar për rezultate konkrete për qytetarët, pavarësisht sfidave dhe mungesës së mbështetjes qeveritare.
Plani konkret për fuqizimin e grave
Ramush Haradinaj prezantoi një plan të qartë veprimi, duke theksuar se fuqizimi i grave është një prioritet kombëtar. Plani përfshin masa konkrete:
- Mbështetje financiare për familjet e reja: 1500 euro për fëmijën e parë, 2500 për të dytin dhe 3500 për të tretin.
- Pagë minimale për nënat me tre ose më shumë fëmijë: 500 euro në muaj.
- Kredite e subvencionuara për bizneset e udhëhequra nga gratë, për të nxitur zhvillimin ekonomik.
- Orar fleksibil pune për nënat, për t’i ndihmuar në balancimin e jetës familjare dhe profesionale.
- Zbatim të plotë të së drejtës në trashëgimi të pronës, duke siguruar që gratë të mos përjashtohen nga të drejtat e tyre ligjore.
Haradinaj: Gratë janë forca që lëviz Kosovën përpara
Gjatë fjalimit të tij, Ramush Haradinaj vlerësoi arritjet e grave në fusha të ndryshme si sporti, shkenca, arti dhe biznesi. Ai tha: “Gratë e Kosovës kanë dëshmuar se janë forca që lëviz vendin tonë përpara. Investimi në gratë nuk është vetëm investim në barazi, por në të ardhmen e çdo qytetari.”
Gjakova, shembull i lidershipit për gjithë Kosovën
Duke përmendur sukseset e kryetarit Ardian Gjini, Haradinaj theksoi se Gjakova është model për komunat tjera, duke treguar se si arrihen rezultate konkrete në të mirë të qytetarëve. “Kjo që po bëhet sot në Gjakovë është dëshmi se Kosova mundet më mirë. Fuqizimi i grave nuk është vetëm një aspiratë, por një objektiv që ne e marrim seriozisht,” u shpreh Haradinaj.
Një Kosovë e barabartë dhe fituese
Ramush Haradinaj përmbylli takimin duke theksuar se vizioni i tij dhe i AAK-së është një Kosovë ku çdo grua ka mundësi të barabarta për të realizuar ëndrrat e saj. “Kosova Fituese është një Kosovë që fuqizon çdo qytetar të saj, veçanërisht gratë, si garanci për një të ardhme më të ndritur për të gjithë.”
Ky angazhim konkret për barazi gjinore dhe fuqizim ekonomik të grave u mirëprit nga pjesëmarrësit, duke i dhënë Gjakovës një rol kryesor në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë.