Sinjali ka raportuar ekskluzivisht se viktima e këtij rasti është 62-vjeçari, Naser Gashi, i cili përpos që dyshohet se u qëllua me armë, u raportua se u godit edhe me thikë në gjoks.
Ndërkaq, personi që ka mbetur i plagosur është 41-vjeçari, me inicialet M.M
Gazeta Sinjali po ashtu ka raportuar se i dyshuari në lidhje me këtë rast është personi me inicialet A.G.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit A.G.
I dyshuari siç merr vesh Gazeta Sinjali ka të kaluar kriminale dhe ka pasur edhe më herët probleme me M.M
Dyshohet se i dyshuari A.G dhe M.M kanë pasur disa probleme mes vete në Spanjë dhe vetëm para pak ditësh kanë ardhur në Kosovë.
Vrasja tragjike dyshohet se erdhi si pasojë e telasheve mes tyre jashtë Kosovës.
Mirëpo, ani pse kanë kaluar më shumë se 12 orë që kur ka ndodhur krimi, i dyshuari A.G, vazhdon të jetë ende në arrati.
“Nuk ka të arrestuar për rastin. Prokurori i Shtetit në bashkëpunim dhe koordinim me organet e Policisë janë duke ndërmarrë masa dhe veprime të nevojshme hetimore mbi këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.