Reagim:
Forumi Intelektual shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me ndryshimet e fundit në libreza shkollore, ku termat “Prindi 1” dhe “Prindi 2” zëvendësojnë titujt tradicionalë “Nënë” dhe “Babë”.
Kjo qasje paraqet një përpjekje për të devijuar nga koncepti i një shoqërie të bazuar në vlerat tradicionale dhe familjare, të cilat janë shtylla e një komuniteti të shëndoshë.
Familja, si një institucion themelor i shoqërisë sonë, duhet të respektohet dhe ruhet, jo vetëm për vlerat morale që ajo përfaqëson, por edhe për rolin e saj thelbësor në edukimin dhe formimin e gjeneratave të reja.
Forumi Intelektual, i bazuar në vlerat kombëtare dhe morale, gjithmonë ka përkrahur dhe do të vazhdojë të mbrojë strukturën tradicionale të familjes, si një bashkësi e shëndoshë që garanton zhvillimin e shoqërisë sonë.
Respektimi i familjes, në të gjitha format e saj tradicionale, nuk është vetëm një detyrim moral, por edhe një përgjegjësi ndaj të ardhmes së kombit tonë. Ne jemi të vendosur të mbrojmë këto vlera në të gjitha sferat e shoqërisë.
Prof. Dr. Artan Nimani
Forumi Intelektual Europa 2030