Real Madrid është duke shqyrtuar emrin e trajnerit të ardhshëm, pasi Carlo Ançeloti pritet të largohet në fund të këtij sezoni. Zhgënjimi i fundit në Ligën e Kampionëve ndaj Arsenalit ka bërë që largimi i teknikut italian të shihet si i pashmangshëm.
Dy emra janë përfolur më së shumti si pasues të mundshëm: Ksabi Alonso dhe Jyrgen Klop. Megjithatë, së fundmi, agjenti i Klopit, Mark Kosicke, ka hedhur poshtë zërat për një kalim të gjermanit në krye të Real Madridit.
“Jyrgeni është shumë i lumtur me rolin e tij në Red Bull. Ai është totalisht i përqendruar dhe i kënaqur aty,” u shpreh Kosicke, duke përjashtuar çdo mundësi për një lëvizje drejt Madridit.
Kjo deklaratë i hap rrugën një transferimi të mundshëm të Ksabi Alonsos në “Santiago Bernabéu”. Trajneri 43-vjeçar aktualisht drejton Bayer Leverkusen dhe ka kontratë të vlefshme deri në vitin e ardhshëm. Alonso, një ish-yll i Real Madridit, shihet si një profil ideal për të marrë drejtimin e skuadrës spanjolle.