Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup ka njoftuar se regjimi i ri kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut do të hyjë në fuqi në mes të prillit.
Në një postim në Facebook, ambasada sqaroi se shtyrja e afatit për disa ditë është bërë për shkak të përgatitjeve teknike dhe logjistike të ekipeve që po punojnë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje ndërshtetërore.
Regjimi i ri do të funksionojë sipas modelit “hyrje-hyrje”, ku kontrollet do të kryhen vetëm në hyrje nga policia e secilit shtet, ndërsa policët do të punojnë në një objekt të përbashkët. Zbatimi do të fillojë në pikat kufitare Hani i Elezit/Bllacë dhe Glloboqicë/Jazhincë.
Ky model synon të zvogëlojë pritjet dhe të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve të të dyja shteteve, duke përmirësuar lëvizjen e lirë dhe efikasitetin në kufi.