Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka akuzuar Serbinë për moszbatim të marrëveshjeve të arritura në kuadër të Procesit të Berlinit. Gjatë një diskutimi për publikimin e raportit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Rizvanolli theksoi rëndësinë e këtij procesi për bashkëpunimin rajonal dhe e vlerësoi Kosovën si shtetin më proaktiv në rajon në kuadër të tij.
Ajo theksoi se kjo ka rezultuar me ratifikimin e shpejtë të marrëveshjeve, duke shtuar se Qeveria e Kosovës ka mirëpritur ringjalljen e Procesit të Berlinit. “Nëse flasim për energjinë, gjatë gjithë kohës kemi votuar për të thelluar bashkëpunimin, por ende Serbia nuk ka lejuar alokimin e kapaciteteve në linjat e transmisionit për pesë vjet”, ka deklaruar ajo, duke e quajtur këtë situatë të dëmshme për qytetarët e Kosovës dhe të rajonit.
Nga ana tjetër, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar përparimin e moderuar të Kosovës në zbatimin e Planit të veprimit për tregun e përbashkët rajonal. Hulumtuesja e KDI-së, Violeta Haxholli, ka theksuar se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në zhvillimin e rrjetit 5G dhe ka avancuar gjithashtu në miratimin e legjislacionit për obligimet e marrë në kuadër të këtij procesi. Sidoqoftë, ajo kërkoi angazhim të mëtejshëm për përmbushjen e angazhimeve të agjendës së gjelbër.