Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar lidhur me situatën politike në vend, duke theksuar se qytetarët e Kosovës meritojnë udhëheqës që e vendosin interesin e shtetit mbi atë partiak.
Përmes një postimi në rrjetin social “Bluesky”, Rohde ka shprehur shqetësimin për bllokimin e Kuvendit të Kosovës, më shumë se dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve.
“Mbi dy muaj pas zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës mbetet i bllokuar për shkak të taktikave penguese. Qytetarët meritojnë politikanë që prioritet e kanë Kosovën, mbi politikat partiake,” ka shkruar ai.
Ambasadori gjerman ka bërë thirrje për bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet subjekteve politike në mënyrë që të sigurohet funksionimi i institucioneve dhe formimi i një qeverie të qëndrueshme sa më shpejt që është e mundur.
“E përsëris: Duhet urgjentisht një bashkëpunim i mirëfilltë për të siguruar funksionimin e institucioneve dhe formimin e shpejtë të një qeverie të qëndrueshme,” ka theksuar Rohde.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur proceset politike në vend janë në ngërç, duke rritur presionin ndërkombëtar për zgjidhje institucionale dhe kthim të normalitetit parlamentar.