Edhe me fillimin e sezonit ngrohës, janë duke vazhduar punimet, ku deri më tani janë instaluar 35 mijë matës të energjisë. Prishtinasve po u kërkohet që të kursejnë energjinë termike me rekomandimet që temperatura në ambientet familjare të jetë deri në 22 gradë. Kështu u tha pas vizitës në disa banesa të lagjes Dardania të kryeshefit të Termokos-it dhe Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK). Instalimi i këtyre pajisjeve matëse mundëson ndryshimin e mënyrës së faturimit të konsumatorëve së ngrohtores së qytetit, në kuadër të projektit “Prishtina Heat Save”.
Kryeshefi ekzekutiv i ngrohtores së qytetit “Termokos”, Fisnik Osmani thekson se ky projekt po realizohet suksesshëm dhe se edhe gjatë sezonit po vazhdojnë punimet.
“Sot ishim në njërën prej banesave të cilat po kryhen punimet, në Dardani, në hyrjen 5/8. Dhe pamë që po zhvillohen punimet mirë, me dinamikën e paraparë dhe të suksesshme. Dhe ajo çfarë është më e rëndësishme është se ka një pritje shumë të mirë prej qytetarëve të Prishtinës dhe definitivisht është kuptuar rëndësia e këtij projekti. Planifikojmë edhe ditëve në vazhdim edhe gjatë sezonit me përmbyll projektin. Derisa sot kemi arritur diku mbi nëntë mijë e 500 banesa të instalohen ose njësi banesore, në të gjitha lagjet e Prishtinës. Me njësi matëse të matësve të energjisë sigurisht kemi shkuar diku rreth 35 mijë sosh. Në përqindje të total projektit, afër 60 për qind, jemi në afat kohor të planifikuar”, thotë ai.
Ky projekt nuk është vetëm për instalimin e pajisjeve, por edhe për ndërrimin e shprehive të shfrytëzimit të ngrohjes, thotë drejtori i Programit të Energjisë në MFK, Burim Hashani.
“Nxehtësia e kursyer do të përdoret pastaj nga Termokos që të zgjerohet edhe në lagje të tjera, duke ditur edhe benefitet e ngrohjes qendrore ku pastaj njerëzit e eliminojnë energjinë elektrike për të ngrohur. Andaj, në këtë aspekt ne jemi duke bërë edhe fushata por edhe njerëzit kanë filluar të mendojnë ndryshe. Tash ua kemi mundësuar edhe përmes valvulave termostatike dhe termokoka që të kontrollojnë nxemjen. Jemi duke informuar njerëzit se cilat temperatura janë standarde normale që duhet të mbahet temperatura në dhomë. Nuk ka nevojë të jetë 25-26 gradë është tepër, është mbi standard dhe jo komfort”, shprehet ai.
Edhe specialistja për energji në MFK, Drita Desku thekson rëndësinë e projektit “Prishtina HeatSave” dhe shfrytëzimin e energjisë termike.
“Ne në raport me të gjitha vizitat që kemi pasur në rajon, ky projekt i joni ka pasur një rekord të instalimeve, meqenëse ka qenë edhe koha e shkurtër. Edhe prej konsumatorëve është pritur mjaft, bile kemi kërkesa se a do të zgjerohet edhe në lagje të cilat është tani duke u zgjeruar edhe Termokos-i. Unë mendoj që sa i përket faturimit, është proces të cilin jemi duke e vazhduar në vazhdimësi. Besoj që edhe me Zyrën e Rregullatorit ia kemi përpiluar një model. Do të krijohet një tarifë e përshtatshme, të cilin konsumatori nuk do e ndjen barrierën shpenzimin dhe do të inkurajoj aq më shumë përdorimin e energjisë termike me atë elektrike”, thekson Desku.
Sa i përket zgjerimit të rrjetit ngrohës, kryeshefi i Termokos-it thotë për KosovaPress se janë duke punuar intensivisht në disa lagje.
“Në lagjen ‘Muharrem Fejza’ jemi jashtë planit dhe po punojmë më tepër se sa që kemi planifikuar. Deri mbrëmë kemi arritur diku në 123 mijë metra katrorë të reja të instalojmë në ‘Muharrem Fejza’. Po flasim diku për nënstacione që janë instaluar dhe diku 34 që i kemi lëshuar në punë. Para kohe kemi filluar në lagjen ‘Arbëria’, tubacionin e parë në ndërtesat e para veç e kemi shpërndarë dhe po shkojmë paralelisht me kontraktorët që të punojmë në densifikimin”, përfundon Osmani.
Projekti “Prishtina Heat Save”, në vlerë prej më shumë se nëntë milionëve financohet nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Komuna e Prishtinës./telegrafi/