Manchester United është i 13-ti në tabelën e Premier League dhe trajneri Ruben Amorim është nën presion pas një ecurie të përzier të formës. Trajneri portugez lejoi që sulmuesi Marcus Rashford të largohej si huazim te Aston Villa në janar, pa shtuar opsione sulmuese në Old Trafford. Amorim ka pranuar se klubi ka ndjekur një qasje të rrezikshme për pjesën e mbetur të sezonit.
Ruben Amorim ka deklaruar se strategjia e Manchester United gjatë merkatos së janarit vjen me rreziqe. Djajtë e Kuq lejuan Antony, Tyrell Malacia dhe Marcus Rashford të largoheshin në formë huazimi pa forcuar radhët e tyre sulmuese.
Kobbie Mainoo u vendos në krye të sulmit të United në humbjen 2-0 ndaj Crystal Palace të dielën, dhe Amorim ka pranuar se strategjia e ndjekur në janar ishte e rrezikshme. “Ne po marrim rrezikun për të cilin flisni, sepse duam një qasje tjetër në ekipin tonë dhe profile të ndryshme lojtarësh,” tha Amorim në një konferencë për shtyp të enjten.
“Kjo është fusha ime. Ishte vendimi im për ta bërë këtë. Siç thashë, po marrim disa rreziqe, por kjo është mënyra si duam të vazhdojmë.
“E di që kur zgjedh këtë profesion, përballesh me rrezikun e rezultateve. E dija që kur erdha këtu, pashë kalendarin, analizova skuadrën dhe kuptova se vendimi im për të ndryshuar gjithçka, për të marrë këto vendime të vështira në mes të sezonit pa përforcime të reja, përbën rrezik për trajnerin.
“Por e di, nuk jam naiv, e kam thënë shumë herë më parë, ky është një sport i bazuar në rezultate dhe jemi në një situatë të vështirë.”
Amorim ndihet i qetë që pas mbylljes së merkatos mund të fokusohet në përmirësimin e lojtarëve që ka në dispozicion. “Ne duam të fitojmë disa ndeshje,” tha Amorim. “Mund ta përmirësojmë skuadrën tonë, do të kemi më shumë kohë për t’u stërvitur, sepse gjithmonë ankohesha për mungesën e kohës për t’u stërvitur.
“Tani kemi kohë për të stërvitur, do të përmirësojmë ekipin dhe lojtarët. Siç thashë, dua një lloj të caktuar lojtarësh – profile të ndryshme – dhe ne po ndryshojmë menjëherë.”
Rashford ishte një nga largimet më të rëndësishme në janar dhe Amorim është i kënaqur që trajneri i Aston Villa, Unai Emery, do të merret me të për pjesën e mbetur të sezonit. “Ne po luftojmë për punët tona deri në verë,” tha Amorim. “Prandaj, unë jam i fokusuar vetëm në këto ndeshje. Fatmirësisht për Marcus, ai është në Birmingham tani, me Unain, kështu që pyetjet për të mund t’ia drejtoni një trajneri tjetër. Ne jemi të fokusuar vetëm te lojtarët tanë për momentin.”
Skuadra e Amorimit do të përballet me Leicester Cityn në raundin e katërt të FA Cup të premten. Ayden Heaven dhe Patrick Dorgu ishin të vetmet afrime të United në janar, dhe Amorim nuk konfirmoi nëse ata do të jenë pjesë e skuadrës për të përballuar The Foxes – të cilët tani udhëhiqen nga Ruud van Nistelrooy pas largimit të tij nga Old Trafford në nëntor.