Përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, ka vazhduar propagandën e tij kundër Kosovës në seancën e Këshillit të Sigurimit, të mbajtur mbrëmjen e së martës. Ai adresoi kritika të forta ndaj qeverisë aktuale, ndërsa nuk la pa përmendur edhe planet e Kosovës për t’u armatosur, shkruan A2 CNN. Shqetësuese, sipas Nebenzya-s, ishte edhe marrëveshja ushtarake e nënshkruar mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë më 18 mars.
Nebenzya e nisi fjalën e tij duke kritikuar ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, e cila, sipas tij, nuk respekton etikën e këtij institucioni. Nuk i kurseu akuzat as ndaj BE-së, që sipas tij, nuk ka asnjë ndikim tek Albin Kurti. Ky i fundit, pretendoi ambasadori rus, po nxit autoritetet lokale të bëjnë spastrim etnik ndaj serbëve të Kosovës.
“Është bërë shpallja për tranzicionin në fazën përfundimtare të Ushtrisë së Kosovës, duke marrë materiale edhe nga vendet e NATO-s. Po flasim për drona, automjete të blinduara, sisteme anti-tank, artileri dhe armatime të tjera. Ka plane për të blerë edhe sistem të mbrojtjes ajrore, por edhe helikopterë. Po ngrihen themelet për industrinë e mbrojtjes lokale dhe këto të gjitha janë shkelje flagrante të Rezolutës 1244. Jemi shumë të shqetësuar me nënshkrimin më 18 mars nga Zagrebi, Tirana dhe Prishtina të një lloj deklarate të përbashkët në fushën e mbrojtjes”, tha Nebenzya.
Në seancën e raportit gjashtëmujor të UNMIK, përfaqësuesi i SHBA, John Kelley, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të punojnë për uljen e tensioneve dhe të përmbahen nga veprime që përshkallëzojnë situatën. “Qëllimi përfundimtar duhet të jetë njohja e ndërsjellë”, tha Kelley.