Samiti i krizës për Ukrainën ka filluar në Pallatin Elysee në Paris, ku përfaqësues të BE-së, NATO-s dhe disa vendeve evropiane po diskutojnë për përpjekjet e paqes dhe veprimet e administratës amerikane. Ndërkohë, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, para nisjes për në Arabinë Saudite për një takim me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Evropa nuk ka vend në bisedimet e paqes në Ukrainë.
Megjithatë, samiti në Paris ka ngjallur reagime të ndryshme, ku disa liderë të shteteve të paftuara kanë shprehur kritika për thirrjen e këtij takimi urgjent të krizës.
Liderët evropianë mblidhen në Elysee, Meloni vonohet
Bisedimet në Pallatin Elysee po zhvillohen me pjesëmarrjen e Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Polonisë, Spanjës, Danimarkës, Holandës dhe Italisë. Sipas burimeve ndërkombëtare, kryeministrja italiane Giorgia Meloni është vonuar në takim.
Në diskutime marrin pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Kellogg në NATO për përfundimin e luftës në Ukrainë
Ndërkohë, Keith Kellogg, i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për Rusinë dhe Ukrainën, ka diskutuar përfundimin e luftës me përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, theksoi rëndësinë e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën, si dhe domosdoshmërinë e bashkërendimit të qëndrimeve mbi mënyrën më të mirë për të mbështetur një paqe të qëndrueshme.
Kremlini: Evropa duhet të fokusohet në përfundimin e luftës, jo në vazhdimin e saj
Rusia ka reaguar ndaj takimit të liderëve evropianë në Paris, duke deklaruar se do të ishte më e dobishme nëse liderët evropianë do të punonin për përfundimin e luftës, në vend që ta vazhdonin atë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nënvizoi qëndrimin e Moskës se lufta, e cila ka hyrë në vitin e saj të tretë, po zgjatet për shkak të furnizimeve me armë perëndimore për Ukrainën.
Gjithashtu, ai e përshkroi idenë e mundshme të dislokimit të forcave paqeruajtëse evropiane në Ukrainë si një çështje të ndërlikuar, për shkak të përfshirjes së forcave të armatosura të vendeve anëtare të NATO-s, raporton DPA.