Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në Autoritetin e Konkurrencës, Selajdin Beqa, nuk është mjaftuar vetëm me grushtet që ia ka dhënë kolegut të tij Shemsi Elezit, që është drejtor në Departamentin e Mbikqyrjes së Tregut, por e ka çuar çështjen edhe më lartë. Beqa, që i është ngritur aktakuza për shkak të sulmit fizik ndaj kolegut të punës, të njëjtit i ka bërë ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil me kërkesën që Elezi të largohet tërësisht nga shërbimi civil.
Selajdin Beqës nuk i mjaftuan vetëm grushtet ndaj kolegut të tij, por synonte që kolegun ta ‘grushtonte’ edhe ligjërisht duke e larguar nga institucioni që drejton. Mirëpo, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil ia ka hedhur poshtë ankesën Beqës si të pa bazuar.
‘S.B, (në tekstin e mëtejmë referuar: Ankuesi), i punësuar në Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës, më datë 06.02.2025, ka parashtruar ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, kundër Vendimit Nr.T-09/25, të datës 09.01.2025, të Komisionit Disiplinor, në Autoritetin e Konkurrencës. Kolegji për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave (në tekstin e mëtejmë referuar: Kolegji i Këshillit) duke iu referuar shkresave të lëndës të parashtruar nga palët në procedurë ka gjetur se ankesa e parashtruar nga ankuesi është e palejuar, sepse:Nga administrimi i shkresave të lëndës konstaton se ankuesi është i punësuar në Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës ( me tej vetëm AKRK) dhe se i njëjti mbanë pozitën e punës Drejtor i Përgjithshëm i Sekretariatit të AKRK-së’, thuhet në vendim.
Selajdin Beqa kishte dorëzuar më 6 shkurt 2025 një ankesë ndaj Vendimit Nr.T-09/25 të Komisionit Disiplinor të Autoritetit të Konkurrencës të datës 9 janar 2025, sepse po konsideronte se vendimi i Komisionit Disiplinor ndaj Shemsi Elezit është i butë, dhe kërkonte largimin nga pozita të nëpunësit civil, të Shemsi Elezit.
‘Kolegji i Këshillit bazuar në analizimin e shkresave të lëndës ka gjetur së Komisioni Disiplinor i AKRK-së, në procedurë disiplinore ndaj nëpunësit civil Shemsi Elezi, ka aprovuar pjesërisht kërkesën e ankuesit në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm,nr.prot.647-06/B të datës 27.09.2024, ashtu që ankuesin ka shpall përgjegjës për shkelje të rëndë disiplinore lidhur me mos respektimin e Rregullores Nr.04/2024 për Orarin e Punës, Pushimet dhe Vijueshmërinë e Zyrtarëve Publik, duke i shqiptuar masën disiplinore “ ndalim prej njëzet për qind (29%) e pagës bazë, për periudhën prej gjashtë (6) mujore, duke filluar nga data 01.02.2025’, thuhet në vendimin e siguruar nga Periskopi.
Beqa ishte bërë lajm në të gjitha mediat vendore për sulmin që ia kishte bërë kolegut të tij, Shemsi Elezit, e që për këtë prokuroria i ka ngritur aktakuzë për sulm, mirëpo përkundër kësaj Beqa vazhdon ta mbaj pozitën e tij të lartë në institucion./Periskopi/
Më poshtë keni vendimin e plotë të siguruar nga Periskopi.