Pas një takimi dyorësh më 12 prill në Muskat të Omanit, i cili u cilësua nga të dyja palët si “pozitiv” dhe “konstruktiv”, negociatorët amerikanë dhe iranianë janë pajtuar të mbajnë një raund të dytë bisedimesh të nivelit të lartë më 19 prill. Takimet, të ndërmjetësuara nga Omani, janë të parat pas disa vitesh ndërprerje të dialogut zyrtar mes dy vendeve për çështjet bërthamore.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, i dërguari i posaçëm amerikan Steven Witkoff theksoi se kishte marrë udhëzime nga presidenti Donald Trump për të zgjidhur dallimet përmes diplomacisë, nëse është e mundur. “Këto çështje janë të ndërlikuara, por komunikimi i drejtpërdrejtë është një hap përpara,” thuhet në deklaratë.
Presidenti Trump, duke folur për bisedimet nga Air Force One, u shpreh: “Mendoj se po shkojnë mirë. Por, asgjë nuk ka rëndësi derisa të përfundojë me sukses.”
Delegacionet ishin të vendosura në dhoma të ndara dhe komunikonin përmes ministrit të Jashtëm të Omanit, Said Badr. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, udhëhoqi delegacionin e Teheranit dhe e përshkroi atmosferën si “të qetë dhe pozitive”. Ai gjithashtu u takua shkurtimisht me Witkoff, duke e cilësuar gjestin si një “mirësjellje diplomatike”.
Bisedimet zhvillohen në një kohë tensionesh të larta dhe kërcënimesh të përsëritura ushtarake nga ana e Uashingtonit. Vetëm pak ditë para takimit, më 9 prill, SHBA vendosi sanksione të reja ndaj subjekteve iraniane të lidhura me programin bërthamor, përfshirë edhe Organizatën për Energji Atomike të Iranit.
Ndërkohë, Irani vazhdon pasurimin e uraniumit në nivel prej 60 për qind – shumë afër pragut për armë bërthamore – ndërsa autoritetet iraniane paralajmërojnë se, nëse përballen me sulme apo kërcënime serioze, nuk do të hezitojnë të ndryshojnë qasje, përfshirë dëbimin e inspektorëve ndërkombëtarë dhe zhvendosjen e materialeve bërthamore në vende të sigurta.
Ky përpjekje për rifillim dialogu vjen pas dështimit të ringjalljes së marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 (JCPOA), e cila u braktis nga SHBA në vitin 2018 gjatë mandatit të parë të Trumpit. Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë kaluar në cikle të diplomacisë dhe konfrontimeve që atëherë.
Analistët vërejnë se, ndonëse sanksionet e reja kanë ndikim të kufizuar praktik, ato shërbejnë si presion diplomatik për të forcuar pozicionin amerikan në tryezën e bisedimeve.