Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, John Kelley, ka kërkuar shpërbërjen e misionit të UNMIK-ut, duke theksuar se mandati i tij ka skaduar dhe nuk ka më rol në qeverisjen e Kosovës. Kelley sugjeroi që UNMIK-u të fillojë transferimin e funksioneve te agjencitë e tjera të OKB-së që janë më të përshtatshme për këtë detyrë. Ai theksoi se ky proces duhet të jetë gradual dhe i parashikueshëm, me qëllim që të zbuten shpenzimet e panevojshme.
“UNMIK është një mision paqeruajtës ‘pa paqeruajtës’. 89% e buxhetit shkon për pagat e punëtorëve, edhe pse misioni ka tejkaluar mandatimin e tij prej shumë vitesh,” tha ai. Kelley gjithashtu kërkoi nga shtetet anëtare që ta rishikojnë këtë mandat dhe të fillojnë një përmbyllje të konsoliduar.
Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ai theksoi rëndësinë e njohjes së ndërsjellë dhe normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. “Kosova dhe Serbia duhet të punojnë në zbutjen e tensioneve dhe të përmbahen nga retorikat që mund të dëmtojnë rajonin. Normalizimi i marrëdhënieve është thelbësor për stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor,” shtoi ai.