Administrata Biden ka ndaluar miratimet e pajisjeve të reja të telekomunikacionit nga Huawei Technologies dhe ZTE të Kinës, sepse ato paraqesin “një rrezik të papranueshëm” për sigurinë kombëtare të SHBA.
Komisioni Federal i Komunikimeve i SHBA-së tha të premten se kishte miratuar rregullat përfundimtare, të cilat gjithashtu ndalojnë shitjen ose importin e pajisjeve të bëra nga prodhuesi kinez i pajisjeve të mbikqyrjes Dahua Technology, firma e mbikëqyrjes video Hangzhou Hikvision Digital Technology dhe firma e telekomit Hytera Communications.
Lëvizja përfaqëson goditjen e fundit të Uashingtonit ndaj gjigantëve të teknologjisë kineze mes frikës se Pekini mund të përdorë kompanitë kineze të teknologjisë për të spiunuar amerikanët, raporton CNN.
“Këto rregulla të reja janë një pjesë e rëndësishme e veprimeve tona të vazhdueshme për të mbrojtur popullin amerikan nga kërcënimet e sigurisë kombëtare që përfshijnë telekomunikacionin”, tha në një deklaratë kryetarja e Komisionit Federal të Komunikimeve, Jessica Rosenworcel.
Huawei nuk pranoi të komentojë. ZTE, Dahua, Hikvision dhe Hytera nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment. Rosenworcel qarkulloi masën e propozuar te tre komisionerët e tjerë për miratim përfundimtar muajin e kaluar, masë kjo e cila në mënyrë efektive ndalon firmat të shesin pajisje të reja në Shtetet e Bashkuara.
Komisioni Federal i Komunikimeve tha në qershor 2021 se po shqyrtonte ndalimin e të gjitha autorizimeve të pajisjeve për të gjitha kompanitë në listën e mbuluar.
Kjo erdhi pas një përcaktimi të pesë kompanive kineze në të ashtuquajturën “lista e mbuluar” në mars të vitit 2021 si një kërcënim për sigurinë kombëtare sipas një ligji të vitit 2019 që synon mbrojtjen e rrjeteve të komunikimit në SHBA: Huawei, ZTE, Hytera Communications Corp Hikvision dhe Dahua.
Të katër komisionerët në agjenci, duke përfshirë dy republikanë dhe dy demokratë, mbështetën masën e së premtes.