Industria e Naftës e Serbisë (NIS) është përfshirë në listën e sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara kundër Gazprom Neft dhe Federatës Ruse. Vendimi i fundit, i publikuar nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Jashtme e Departamentit të Thesarit të SHBA-së, përfshin gjithashtu sanksione ndaj 180 anijeve, disa kompanive të naftës dhe drejtuesve kryesorë të sektorit rus të energjisë.
Vuçiq: “Ekonomia serbe në vështirësi”
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq konfirmoi javën e kaluar se SHBA do të vendosë sanksione direkte ndaj NIS. Ai paralajmëroi për pasojat që këto masa mund të kenë në ekonominë serbe, duke përfshirë sfida për Rafinerinë, Petrokemija dhe kompani të tjera të mëdha.
- “Kjo situatë na vendos në një pozitë të vështirë. Pyetja është pse SHBA-të po marrin këtë hap tani, ndërsa deklarojnë se sanksionet janë kundër rusëve dhe financimit të luftës, por kjo ndikon drejtpërdrejt te ne,” tha Vuçiq.
Ai ngriti shqetësimin se këto sanksione mund të jenë një përpjekje për të destabilizuar vendin e tij, duke shtuar se mbijetesa e ekonomisë serbe është tashmë nën presion.
Deklarata e JANAF-it
Kompania kroate JANAF d.d., një partner kryesor i NIS për transportin e naftës, komentoi gjithashtu për situatën. Në një deklaratë zyrtare, JANAF konfirmoi se ka bashkëpunuar ngushtë me autoritetet kroate dhe ato amerikane për të zbutur pasojat e sanksioneve.
- “Që nga dhjetori 2022, në Serbi përmes sistemit tonë transportohet vetëm naftë me origjinë jo-ruse,” theksoi bordi drejtues i JANAF-it.
Ata shtuan se janë duke shqyrtuar të gjitha aspektet e vendimit dhe se zbatimi i plotë i sanksioneve do të ndodhë brenda 45 ditëve. Gjatë kësaj periudhe, palët do të punojnë për të gjetur zgjidhje që sigurojnë furnizimin e qëndrueshëm me naftë të Serbisë dhe mbështesin deinvestimet kur të jetë e nevojshme.
Sfida rajonale për sigurinë energjetike
Përfaqësuesit e JANAF-it theksuan rëndësinë gjeostrategjike të kompanisë për sigurinë energjetike të rajonit dhe konfirmuan se do të vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe të jenë në kontakt të vazhdueshëm me palët e interesit.
Ky zhvillim shënon një tjetër hap në sanksionet e ashpra të SHBA-së ndaj industrisë ruse të naftës, me pasoja të dukshme për vendet e rajonit që mbështeten në burimet dhe bashkëpunimin energjetik me Rusinë.