Policia e Kosovës ka njoftuar arrestimin e një shoferi të dyshuar për përfshirje në një aksident fatal që ndodhi mbrëmë në Fushë Kosovë. Sipas raportit ditor të Policisë, ngjarja ndodhi në Bresje të Fushë Kosovës, ku dyshohet se shoferi ka goditur këmbësorin, i cili si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën në vendngjarje.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari, një mashkull kosovar, është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje. Trupi i viktimës është dërguar për obduksion, për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Njoftimi i Policisë: “AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET – Bresje, Fushë Kosovë / 30.03.2025 – 20:57. Është arrestuar vozitësi mashkull kosovar, pasi dyshohet se ka goditur këmbësorin mashkull kosovar me automjetin e tij, dhe si pasojë viktima ka vdekur në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.