Kryetari i Shoqatës Sindikale te Administratës se Gjykatës Themelore ne Prishtine me degët në Podujevë, Drenas, Lipjan dhe Graçanicë, Naim Rrustemi, ka thënë se vendimi i Thesarit që mos të ndalë kuotimin sindikal është ndërhyrje në punët e sindikatave.
Reagimi i Rrustemit ka ardhur pasi në muajt e fundit, Thesari nuk ka ndalur pagesat për sindikata që kanë paguar punëtorët deri më tash përmes ndalesës në pagë.
“Mos ndalesa e kuotizmit sindikal nga MFPT-Thesari i Kosoves është ndërhyrje direkte në Statutet e Shoqatave Sindikale dhe Vendimet e Certifikatat e biznesit të cilat na i ka lëshuar Departamenti mbi Organizimin Sindikal në kuadër të MPMS-së”, thuhet në reagimin e Rrustemit.
Ai ka kërkuar përgjigje për disa çështje që ka ngritur lidhur me mosndalesën e kuotimit sindikal.
“Pse Thesari të ndërhyj mbi organizatat sindikale? Me çfarë te drejte i shkel vendimet e MPMS-se për regjistrimin e Shoqatave Sindikale ? Me çfarë te drejte nuk e njeh anëtarësinë e Shoqatave Sindikale kur ata një nga një i kanë plotësuar e nënshkruar formularët e dhënë nga MPMS-se? Kush i ka dhënë te drejtën qe t’i regjistrojë sindikalistet?”, ka shkruar Rrustemi.
Sipas tij, ata që nuk kanë bërë këtë ndalesë po mashtrohen pasi nuk mund t’i marrin nën kontroll sindikatat edhe duke i varfëruar materialisht.
“Ne do i shfrytëzojmë gjithë mekanizmat ligjor për t’i dhënë sqarim këtij veprim jo te mire nga MFPT-se!”, thuhet në reagimin e Rrustemit.
“Uroj e shpresoj te mos ketë ndërhyrje politike!”, ka shtuar ai./BetimipërDrejtësi/