Qeveria shqiptare ka miratuar udhëzimin e ri që legalizon kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për qëllime industriale, duke përcaktuar qartë formatin e lejes dhe kushtet që duhet të plotësojnë subjektet që kërkojnë të angazhohen në këtë sektor.
Sipas dokumentit të publikuar në Fletoren Zyrtare, lejet do të mundësojnë aktivitete të tilla si: importi i farës, fidanit, klonit ose bimës mëmë; kultivimi për përfitimin e lules, fibrës ose farës; përpunimi, magazinimi, transporti dhe eksporti i produkteve apo nënprodukteve të kanabisit industrial.
Subjektet aplikante mund të kërkojnë një ose disa prej këtyre aktiviteteve në bazë të planit të tyre të zhvillimit, me kusht që të përmbushin standardet e sigurisë dhe dokumentacionin përkatës. Transporti mund të delegohet, por përgjegjësia mbetet te subjekti i licencuar.
Kriteret e aplikimit për leje përfshijnë:
-
Regjistrimin në QKB
-
Plan biznesi 5-vjeçar
-
Marrëdhënie të dokumentuar me tokën
-
Rregullore administrative të brendshme
-
Plan trajnimi për punonjësit
-
Pastërtinë e figurës dhe etikë profesionale
-
Dokumentacion për ambientet, planimetrinë dhe pajisjet
-
Performancë financiare pozitive dhe mungesë detyrimesh të prapambetura ndaj tatimeve, energjisë dhe ujit
Për çdo aktivitet, kërkohet hartimi i procedurave standarde të punës (SOP) sipas standardeve EU-GACP, ndërsa për produktet përfundimtare kërkohen certifikime si EU-GMP, HACCP dhe ISO, varësisht nëse produkti është ushqimor apo kozmetik.
Një tjetër kriter thelbësor është që leja nuk lëshohet në mungesë të një marrëveshjeje shitjeje me një subjekt të licencuar për përpunim ose eksport. Kjo ka për qëllim garantimin e një zinxhiri transparent të prodhimit dhe përpunimit.
Aktivitetet për të cilat jepet leja përfshijnë:
-
Import, magazinim dhe transport të farës, klonit ose bimës mëmë
-
Kultivim për përfitim të lules, fibrës ose farës
-
Përpunim fillestar dhe prodhim përfundimtar
-
Eksport i nënprodukteve dhe produkteve të përpunuara
Ky udhëzim shfuqizon atë të mëparshmin të vitit 2024 dhe hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Me këtë hap, Shqipëria synon të krijojë një industri të kontrolluar të kanabisit industrial në përputhje me standardet ndërkombëtare.