Shkruar nga Alban Maliqi.
(Autori i këtij shkrimi është Profesor i Sigurisë dhe njohës i të drejtës ndërkombëtare)
Që prej konfliktit të fundit në Kosovë, shumë shqiptarë të Mitrovicës Veriore dhe komunave tjera në veri të Kosovës janë përballur me sfidën e pamundësisë për t’u kthyer në shtëpitë dhe pronat e tyre. Pavarësisht përpjekjeve për integrim dhe insistimit për krijimin e një bashkëjetese paqësore, situata në këtë pjesë mbetet e tensionuar dhe e ndërlikuar, duke pamundësuar kthimin në pronat e tyre.
Një nga arsyet kryesore që pengon rikthimin e tyre është pasiguria e vazhdueshme dhe mungesa e garancive për sigurinë personale. Mitrovica Veriore, e ndarë nëpërmjet lumit Ibër, është hapsirë e cila është përballur me tensione të vazhdueshme etnike, ndikim të madh kishin dhe vazhdojnë të kenë strukturat paralele dhe kriminale serbe. Këto struktura, të mbështetura nga Serbia, e kanë bërë të vështirë rikthimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të shqiptarëve në pronat e tyre.
Shteti i Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare kanë obligim ligjor dhe kushtetues, të garantojnë kthimin e sigurt për të gjithë qytetarët e dëbuar nga pronat e tyre tash e sakohë.
Për të mundësuar kthimin e sigurt, është e nevojshme, Rivendosja e sigurisë, e cila nënkupton prani dhe vigjilencë nga forcat ndërkombëtare, si dhe vigjilencë më e madhe nga Policia e Kosovës, kjo vigjilencë shërben dhe garanton mbrojtjen e jetës dhe pronës të të atyre që dëshirojnë të kthehen.
Pavarësisht përpjekjeve, deri më tani kanë munguar rezultate konkrete. Një vendosmëri më e fortë nga faktori ndërkombëtar është e domosdoshme për të zbutur tensionet dhe për të krijuar një ambient të sigurt dhe të qetë.
Duhet të përfundojnë të gjitha proceset ligjore që lidhen me kthimin e pronave, si dhe të ofrohet ndihmë më e madhe shtetërore për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara, sepse kjo u mundëson secilit qytetarë të dëmtuar të kthehet dhe të jetoj në pronën e vet.
Dialog dhe pajtim: Një proces i mirëfilltë dialogu ndërmjet komuniteteve duhet të inkurajohet nga udhëheqësit politikë, për të ndërtuar besim të ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë për të gjithë banorët e pjesës veriore të Kosovës.
Vetëm përmes një plani të qartë që fokusohet në siguri, drejtësi dhe bashkëjetesë paqësore, shqiptarët e pjesës Veriore të Kosovës mund të rikthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre.