Kamala Harris apo Donald Trump? Fituesi i zgjedhjeve presidenciale amerikane do të vendoset në shtatë shtete federale. Kjo ndodh sepse presidenti amerikan zgjidhet indirekt, përmes kolegjit elektoral. Çdo shtet federal voton për përfaqësuesit e tij në këtë organ, i cili më pas zgjidh formalisht presidentin. Kolegji ka 538 elektorë. Shtetet federale janë përfaqësuar në kolegj proporcionalisht me numrin e banorëve. Kalifornia, si shteti më i populluar amerikan, ka numrin më të madh të elektorëve (55), e ndjekin Teksasi (38) dhe Nju Jorku e Florida (nga 29). Shtetet me popullsi të ulët, si Alaska, Vermonti, Delaware, Uajoming dhe Montana, kanë secila vetëm nga tre elektorë. Kandidati ose kandidatja që fiton 270 vota në kolegjin elektoral bëhet president ose presidente. Elektorët në parim kanë të drejtë të votojnë për cilindo kandidat për president dhe nënkandidat, por në praktikë ata votojnë për atë kandidat që janë zgjedhur nga votuesit e shtetit të tyre. Përjashtim bëjnë Nebraska dhe Maine, të cilat ndajnë votat elektorale proporcionalisht me numrin e votave të fituara nga votuesit. Në shumicën e shteteve federale, tradicionalisht dominuese është një parti, qoftë republikane apo demokratike, prandaj fituesi aty është praktikisht i njohur paraprakisht. Kështu, kandidatët në realitet luftojnë për votat në ato shtete ku preferencat ndryshojnë nga zgjedhjet në zgjedhje – këtyre shteteve u thuhet “swing states”.
Arizona – Arizona votoi për presidentin aktual amerikan Joe Biden katër vjet më parë me një diferencë të ngushtë prej 0.3 pikësh përqindjeje. Kjo ishte hera e parë që pas vitit 1996, 11 votat e saj elektorale shkuan për kandidatin demokrat. Në këto zgjedhje, një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme është e drejta për abort. Gjykata më e lartë në Arizona e miratoi në prill një ligj të vitit 1864 që ndalon abortet, përveç atyre që janë të nevojshme për të shpëtuar jetën e gruas. Ligji 160-vjeçar u anulua nga parlamenti arizonian, ndërsa një i ri është në përgatitje. Një çështje tjetër e rëndësishme për Arizonën është emigrimi, pasi ajo ndan një kufi prej 600 kilometrash me Meksikën. Rreth një e katërta e votuesve në shtet janë latinos. Kjo është një grup demografik që në zgjedhjet e fundit presidenciale ishte i favorizuar ndaj Bidinit. Por sondazhet e fundit tregojnë se latinos e mbështesin Kamala Harris në një masë më të vogël.
Gjeorgjia – Kur Biden fitoi ngushtë në Gjeorgji në vitin 2020, ai ishte kandidati i parë demokrat për president që e arriti këtë pas Bill Clintonit në vitin 1992. Ai fitoi me 0.2 përqind, që ishte diferenca më e vogël. Trump e kishte të vështirë ta pranonte humbjen dhe Gjeorgjia u bë qendra e përpjekjeve të tij për të anuluar zgjedhjet. Sekretari i Shtetit të Gjeorgjisë, Brad Raffensperger, mori atëherë telefonatën e njohur të Trumpit, në të cilën ai e kërkoi “të gjejë 11,780 vota” dhe insistoi se fitimi ishte i tij. Vitin e kaluar, Trump së bashku me 18 të tjerë u akuzua për përzierje në zgjedhje. Rasti është në pritje deri në dhjetor. Megjithëse ish-presidenti Trump ka një avantazh të ngushtë në Gjeorgji, Harris ka mbështetje të fortë nga votuesit e zinj, një grup që ishte kyç për fitoren e Bidinit në shtet. Ndërkohë, mbështetja e Trumpit ndër votuesit e zinj është rritur pak muajt e fundit, por demokratët shpresojnë se do të kenë sukses në të kthyerin e këtij trendi.
Michigan – Një herë një nga shtetet federale në të cilat demokratët mund të mbështeteshin, Michigan e zgjodhi Trumpin në vitin 2016 dhe Bidenin në vitin 2020. Votuesit nga klasa punëtore janë një grup kyç në këtë shtet, i njohur për industrinë e tij të automobilave. Gati 13 përqind e njerëzve janë të lidhur me sindikatat, që është tre pikë përqindjeje më shumë se mesatarja kombëtare. Michigan është gjithashtu shteti me përqindjen më të lartë të banorëve arabë. Këtu mund të lindë një problem për demokratët për shkak të mbështetjes së tyre të padiskutueshme për Izraelin. Të dy, Harris dhe Trump, si dhe kandidatët e tyre për nënkandidatë, e vizituan shtetin disa herë gjatë muajve të fundit, duke theksuar të dy se Michigan është çelësi për fitoren.
Nevada – Në pesë zgjedhjet e fundit presidenciale, Nevada ka qenë një shtet me diferenca jashtëzakonisht të vogla. Megjithëse kandidati demokrat ka fituar në dy garat e fundit presidenciale, Trump ishte përpara Bidinit në sondazhe. Harris e ka kthyer këtë trend dhe tani ka një avantazh të vogël. Ashtu si në të gjithë SHBA, ekonomia është çështja më e rëndësishme për votuesit në Nevadë. Papunësia është 5.4 përqind, më e larta në SHBA. Në Las Vegas, ajo është edhe më e lartë, 6.7 përqind. Megjithëse kandidatët republikanë arrijnë rezultate më të mira mes votuesve kur bëhet fjalë për ekonominë, disa sondazhe tregojnë se në Nevada i besojnë më shumë Kamala Harris në këtë fushë. Demografikisht, Nevada është një nga shtetet më të larmishme në SHBA, gjë që mund t’i sjellë përfitime demokratëve. Rreth 40 përqind e votuesve janë latinos, të zinj ose me origjinë azjatik, të gjitha këto grupe janë më të favorizuara ndaj Harris sesa ndaj Trump.
Karolina e Veriut – Karolina e Veriut ka mbështetur kandidatin republikan në të gjitha zgjedhjet që nga viti 1976, përveç vitit 2008, kur Barack Obama fitoi ngushtë në këtë shtet. Por megjithëse Trump fitoi në Karolinën e Veriut në vitin 2020, ai e arriti këtë vetëm me 1.3 pikë përqindjeje. Aktualisht duket se Harris dhe Trump janë të barabartë në këtë shtet. Parashikimet e vështirësohen nga fakti se në Karolinën e Veriut ka numrin më të madh të votuesve të paidentifikuar, 36 përqind. Megjithëse ata priren të votojnë për Trumpin, demokratët me siguri nuk do të dorëzohen pa luftë për këtë shtet – Kamala Harris ka qenë atje të paktën dhjetë herë këtë vit.
Pensilvani – Me 19 elektorë, Pensilvani është shpërblimi më i madh midis “swing states”. Megjithëse deri në vitin 2016 ata votuan rregullisht për demokratët, Trumpi i bindë atë vit. Në vitin 2020, Biden e ktheu Pensilvaninë në “shtetet e blu” me një diferencë minimale. Ai kishte një avantazh të veçantë, pasi ishte rritur në Scranton dhe bashkëshortja e tij në Willow Grove, që është gjithashtu në Pensilvani. Të dy palët e shohin Pensilvaninë si çelës për fitoren. Harris mund të përfitojë nga fakti se ajo është e popullarizuar ndër votueset femra atje. Për votuesit në Pensilvani, çështja e të drejtës për abort është në vendin e tretë pas ekonomisë dhe emigracionit.
Wisconsin – Një herë një nga shtetet demokratike të sigurt, Wisconsin u kthye pas vitit 2016 kur votuesit zgjodhën Trumpin. E habitshme, asnjë sondazh atëherë nuk parashikonte fitoren e tij. Biden e ktheu shtetin në duar të demokratëve në vitin 2020, por fitorja ishte shumë e ngushtë. Republikanët tani e kanë quajtur Wisconsin një shtet prioritar. Konventa e tyre kombëtare ishte në Milwaukee, dhe Trump tha: “Nëse fitojmë në Wisconsin, fitojmë zgjedhjet.” Kamala Harris është e një mendimi me ish-presidentin. Në një miting në korrik, ajo tha: “Rruga për në Shtëpinë e Bardhë kalon përmes Wisconsin.”