Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan është përfshirë sërish në dyshime për keqpërdorime dhe shkelje ligjore, pasi Sekretari i Përgjithshëm, Isa Keka, dhe dekanja e Fakultetit Juridik, Fatmire Krasniqi, kanë vazhduar të ushtrojnë detyrat e tyre pas dorëheqjeve të njoftuara, në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publik. Të dyja këto veprime janë miratuar nga rektori i universitetit, Artan Dërmaku, duke ngritur shqetësime për parregullsi të vazhdueshme në këtë institucion, sipas raportimeve të Gazetës Nacionale.
Isa Keka kishte njoftuar dorëheqjen më 20 janar 2025, por pas disa ditësh deklaroi se i kishte “rënë pishman” dhe, me miratimin e rektorit Dërmaku, u rikthye në detyrë. Keka pretendon se Ligji për Zyrtarët Publik e lejon një veprim të tillë, duke thënë: “I kam rënë pishman, çfarë ka të keqe? Kam konfirmimin e rektorit që mund të vazhdoj.” Megjithatë, sipas njohësit të çështjeve juridike, Ehat Miftaraj, dorëheqja është një akt i njëanshëm dhe i parevokueshëm, i cili krijon pasoja juridike 30 ditë pas njoftimit, pa mundësi për t’u tërhequr.
Një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe me Fatmire Krasniqin, e cila më 20 shkurt 2025 njoftoi dorëheqjen nga pozita e dekane, duke përmendur arsye si ngarkesa e rënduar në punë dhe sjelljet e padrejta ndaj saj. Megjithatë, pas më shumë se 30 ditëve, ajo vazhdoi të ushtrojë detyrën, me miratimin e rektorit Dërmaku. Kur u pyet nga Gazeta Nacionale, Krasniqi deklaroi se vepron në “përputhje me kornizën ligjore”, por nuk dha shpjegime të mëtejshme për shkeljen e dukshme të ligjit.
Të dyja rastet tregojnë se rektori Dërmaku ka lejuar veprime që bien ndesh me Ligjin për Zyrtarët Publik, i cili nuk njeh mundësinë e revokimit të dorëheqjes pas njoftimit zyrtar.