Deputeti nga radhët e Listës Serbe, Slavko Simiq, është intervistuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, nën dyshimet për sulmet ndaj gazetarëve të ndodhura në Leposaviq gjatë vitit 2023.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, deputeti i sapo zgjedhur i Kuvendit të Kosovës S.S dyshohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 404 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Simiq thuhet se gjatë protestave kundër vizitës së ish-ministrit E.K., në Leposaviq, ka dhënë urdhër që të sulmohen gazetarët.
Rasti ka ndodhur në qershor të vitit 2023.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se i është marrë deklarata në cilësinë e të pandehurit personit me iniciale S.S., deputet i posa zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, me dyshimin se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 404 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. I pandehuri S.S., dyshohet se me datë 16 qershor 2023, gjatë protestave kundër vizitës së ish-ministrit E.K., në Leposaviq, ka dhënë urdhër që të sulmohen gazetarët, dhe me këtë ka kryer veprën penale për të cilën është intervistuar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.