I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, zhvilloi të enjten një vizitë të paparalajmëruar në Prishtinë, ku u takua me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi. Sorensen konfirmoi se pas kësaj vizite do të udhëtojë drejt Beogradit dhe më pas do të kthehet në Bruksel.
“Është një vizitë normale, siç mund ta shihni. Jam i lumtur që jam këtu dhe tani do të shkoj në Beograd dhe pastaj në Bruksel,” deklaroi Sorensen para gazetarëve, duke shtuar shkurt se “jemi duke punuar”.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, gjatë takimit me Bislimin u diskutua për zbatimin e marrëveshjeve të nivelit teknik si dhe rëndësia e nisjes së diskutimeve për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Sorensen zhvilloi takim edhe me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani. Në një postim në rrjetet sociale, KFOR njoftoi se u shkëmbyen mendime mbi gjendjen e sigurisë në rajon.
Kjo ishte vizita e dytë e Sorensen në Kosovë që nga marrja e detyrës në fillim të shkurtit. Ajo vjen në një kohë kur Kosova ndodhet në krizë institucionale, duke mos arritur ende të konstituojë Kuvendin dhe të formojë Qeverinë, më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Gjatë vizitës së tij të parë në mars, Sorensen kishte deklaruar se prioriteti i tij është organizimi i takimeve mes palëve në dialog.
Ndërkohë, shefja e BE-së, Kaja Kallas, ka deklaruar se blloku është duke analizuar gabimet e së kaluarës në procesin e dialogut, për të shtuar gjallëri dhe për të avancuar drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Marrëveshja e vitit 2023 është detyrim për të dyja palët dhe përmbushja e saj është kusht për përparimin në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, tha Kallas në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 2 prill.
Pavarësisht marrëveshjeve të arritura nën ndërmjetësimin e BE-së, procesi ka mbetur në vendnumëro dhe tensionet mes dy vendeve janë rritur.