“ Startapet dhe teknologjitë inovative janë e ardhmja e vendit. Kosova ka rinin të mirë edukuar në sektorin e IT, teknologjisë informative dhe ne do te bëjmë çdo gjë për të zhvilluar këtë sektorë. Ftojmë kompanitë nga e gjithë bota për të investuar në Kosovë pasi mund të gjejnë resurse njerëzore në Teknologjinë Informative”.
Këto fjali në formë deklaratash mund ti keni dëgjuar në televizione e vendit apo mund ti keni lexuar nëpër mediat e ndryshme elektronike dhe janë thënë pa përjashtim nga të gjitha qeveritë e Kosovës dhe partitë politike. Të njëjtën qasje e kanë të shkruar edhe në programet e tyre dhe sa herë ka zgjedhje e shpalosin zëshëm në formë të premtimeve elektorale. Por këtu mbetet gjithçka. Në realitet asnjë prej qeverive të Kosovës nuk ka ndihmuar financiarisht këtë sektorë, një e vërtetë që konfirmohet nga Uranik Begu, drejtor i Qendrës së Inovacionit të Kosovës, organizatë kjo qendrore në vend që mbështet të rinjtë dhe startapat që lindin nga iniciativat e tyre.
“ ICK ka shënuar këtë vit 10 vjetorin e themelimit, dhe unë jam afërisht që nga fillimi në pozitën e drejtorit ekzekutiv, ku roli dhe funksioni im lidhej dhe lidhet direkt me zhvillimin e organizatës dhe afirmimin e aktiviteteve te ICK ne komunitet dhe më gjerë. Në fillimet e hershme ICK është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë kur dhe ka filluar aktivitetin me nismë të STIKK.
Kurse sot kryesisht ICK mbështetet nga SIDA dhe Ambasada Suedeze si përkrahësit kryesor të qendrës. Megjithatë ICK ndër vite ka krijuar dhe kultivuar raporte me gjithë organizatat që veprojnë në vend,duke u shndërruar në një platformë ku shume nisma të donatoreve janë gërshetuar për të rritur ndikimin ne vend”, thotë Uranik Begu, drejtori Ekzekutiv i ICK, për qendra.info.
Sipas tij “ fatkeqësisht, qeveritë e Kosovës gjatë këtyre viteve kanë qenë spektator në zhvillimin e ekosistemit të inovacionit dhe ndërmarrsis, kjo dhe shkak ndryshimit të shpeshtë të qeverisjeve ndër vite.
“ ICK ka nevojë për një mbështetje të fortë institucionale në mënyrë që të zhvillojë dhe avancojë aktivitetet e veta, dhe rrjedhimisht të ndihmojë sa më shumë të rinj në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësish”,thotë Begu.
Begu ka treguar se gjatë funksionimit vite ICK ka pasur mundësi qe te realizojë shume projekte dhe nisma që me të vërtetë janë për mburrje dhe kanë pasur ndikim pozitiv në shoqëri.
“ Do veçoja aktivitetet me karakter ndërkombëtar ku kemi lobuar qe te integrojmë Kosovën ne ekosistemin global te kesaj industrie. Po ashtu jemi krenar me nismat qe kanë ndihmuar gratë dhe vajzat dhe gjithëpërfshirje e tyre në fushën e TIK, duke dhuruar mbi 600,000 euro bursa. Gjithashtu, pjesa e inkubatorit të ICK është një ndër të arriturat më të mëdha, ku kemi përkrahur mbi 550 startup me shërbime të ndryshme dhe grante, duke krijuar biznese te qëndrueshme dhe vende te reja punës (diku rreth 5000)”, thotë drejtori ekzekutiv i ICK, Uranik Begu, duke shtuar se edhe pse me shumë vështirësi dhe me mbështetje të vogël, shumë prej bizneseve nga komuniteti ynë sot shërbejnë në tregjet ndërkombëtare dhe janë pjesë e zhvillimeve teknologjike globale.
Ai sqaron se me pak më shumë investim financiar, shumë nga këto kompani do të ishin në gjendje edhe më të mire, duke pushtuar edhe më shume tregje me produktet dhe shërbimet e tyre.
“ Mirëpo, jemi shume krenar dhe të lumtur me rritjen e shpejte dhe të qëndrueshme të shumë kompanive të reja në fushën e IT. Mbështetja institucionalë ka munguar tërësisht në këtë drejtim, dhe fatkeqësisht ende nuk po shihet që institucionet kanë një vizion të qartë për të zhvilluar inovacionin dhe ndërmarrësin në vend. Iniciativat private dhe ato publike, ende funksionojnë tërësisht në mënyre paralele dhe pa ndonjë ndërveprim, dhe kjo nuk sjell dobi. Si ICK, deri tani nuk kemi pranuar asnjë mbështetje nga institucionet e vendit, edhe pse mbesim një vend i preferuar për vizita si për partitë politike edhe për delegacionet e jashtme”, shpjegon tutje drejtori ICK, Begu për qendra.info.
Puna e bërë në ICK për gjatë 10 viteve ka kaluar nivelin lokal për përkrahjen dhe fuqizimin e bizneseve startup dhe po ashtu ka bërë mjaft edhe me promovimin e Kosove si një destinacion i ri dhe atraktiv për investim, sidomos në fushën e teknologjisë.
“ Deri tani ne kemi organizuar me qindra vizita të investitorëve ne Kosove dhe anasjelltas ku bizneset startup kanë prezantuar të arriturat e tyre në tregjet e jashtme. Sigurisht, jo gjithçka varet vetëm nga ne, dhe vlerësoj që në radhë të pare puna profesionale, por edhe mbështetja institucionale për investitorët është tejet e rëndësishme. Ne jemi një Organizatë me 15 punëtorë, një fondacion qe mbështetet nga Ambasada Suedeze dhe SIDA. ICK e meriton që të gëzojë mbështetjen e munguar institucionale, dhe të ketë adresë te përhershme. Pa këtë mbështetje, funksionimi I ICK do të jetë ë vështirë në suaza të asaj që ofron sot. Andaj shpresoj që me një angazhim shtesë, edhe të energjive të reja nga vet ICK, por edhe një vizioni dhe angazhimi të ri qeverisës, ICK do të jetë në shërbim te inovacioneve edhe shume vite e dekada”, tha në fund të intervistë, Uranik Begu, kryeshef ekzekutiv I ICK. ( Qendra.info )