Të paktën 18 persona, përfshirë nëntë fëmijë, kanë humbur jetën në një sulm me raketa ruse në qytetin e Krivi Rog, që është edhe vendlindja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Sulmi ndodhi të premten dhe është konfirmuar nga autoritetet e rajonit Dnipropetrovsk.
Guvernatori i Dnipropetrovsk, Sergiy Lisak, njoftoi përmes rrjetit social Telegram se “18 njerëz u vranë nga raketa ruse që goditi Krivi Rog, ndër ta nëntë ishin fëmijë”. Ai theksoi se kjo është një dhimbje që “nuk do ta dëshiroja as për armikun tim më të keq”, raporton agjencia franceze e lajmeve, AFP.
Pas operacioneve të shpëtimit gjatë natës, numri i të plagosurve ka arritur në 61, nga të cilët 12 janë fëmijë. Sipas Oleksandr Vilkul, kreut të administratës ushtarake të qytetit, raketa ka goditur një zonë banimi pranë një këndi lojërash për fëmijë.
Pamjet që kanë qarkulluar në mediat sociale tregojnë trupat e pajetë të shtrirë në rrugë, ndërsa njëra prej tyre tregon tym në qiellin e mbrëmjes dhe një makinë që është përfshirë nga flakët, me zhurmat e njerëzve që dëgjohen në sfond.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi të premten se ka realizuar një “sulm preciz me raketë me eksploziv të lartë në një restorant”, ku sipas saj po takoheshin “komandantët e njësive dhe instruktorët perëndimorë”. Ministria njoftoi se në këtë sulm kanë humbur jetën deri në 85 ushtarë dhe oficerë nga shtetet e huaja, si dhe janë shkatërruar deri në 20 automjete.
Krivi Rog, qyteti ku ka lindur Zelensky, ka qenë një objektiv i shpeshtë i sulmeve me raketa dhe dronë nga ana e forcave ruse. Andriy Kovalenko, kreu i qendrës ukrainase për luftimin e dezinformatave, e ka cilësuar këtë sulm si një veprim të qëllimshëm, duke përdorur një raketë balistike me qëllimin për të shkaktuar sa më shumë viktima.