Sylvinho flet para ndeshjes me Anglinë: Kemi pasur probleme, lojtarët vijnë të lodhur
Shqipëria sonte do ta ketë një mision shumë të vështirë në Wembley kundër Anglisë. Sigurisht, futbolli nuk është një shkencë ekzakte, për këtë arsye, Sylvinho dhe djemtë e tij besojnë se mund të arrijnë një rezultat historik.
Shqetësimi i vetëm i teknikun kuqezi dhe stafit të tij është gjendja e disa legjionarëve, mbi të gjitha në mbrojtje, pasi për herë të parë trajneri duhet të bëjë llogaritë pa lojtarë si Mitaj, Hysaj, apo dyshimet e forta në lidhje me qendrën e mbrojtjes, fakt që e pranoi edhe Sylvinho:
“Po, është e vërtetë, kemi pasur probleme të vogla gjatë javës, por kemi ende kohë për të vlerësuar disa lojtarë. Në mbrojtje, kemi edhe opsione të tjera si Ajeti dhe Mihaj, do të marrim një vendim”.
Sylvinho e pranoi se ndaj Anglisë do të jetë një ndeshje e vështirë, kjo për shumë arsye, nga forca e rivalit e deri te gjendja e lojtarëve:
“Do të jetë një ndeshje e vështirë, por në të njëjtën kohë shumë e këndshme. Është e vërtetë që nuk kemi shumë kohë për t’u përgatitur, të mos harrojmë që kemi një ndeshje tjetër ndaj Andorrës. Një tjetër detaj është se lojtarët vijnë të lodhur, jo vetëm të Shqipërisë, pasi sezoni është i gjatë, gjithsesi, nuk duhet të ankohemi”
I pyetur nëse mund të jetë një Kristofor Kolombi i ri, për të zbuluar Amerikën, trajneri i Kombëtares e ka në kokë recetën për ta bërë diçka të tillë:
“Ne punojmë së bashku. Nuk ka rrugë tjetër. Duhet të vendosim zemrën dhe shpirtin në fushë. Ka vetëm një rrugë, duhet të luftojmë për çdo pikë. Çdo metër në fushë është i rëndësishëm. Ne kemi lojtarë të mirë, nga aspekti fizik dhe me përvojë. Duhet të luftojmë që të ecim përpara”.
Në krah të Sylvinho-s ishte edhe Berat Gjimshiti. Kapiteni kuqezi theksoi se ëndrrat nuk janë të pamundura, e rëndësishme është të besojë, pasi askush nuk besonte që Shqipëria të shkonte dy herë në Evropian brenda një periudhe kaq të shkurtër. Diga shqiptare shtoi se diferencat me Anglinë janë të mëdha, por nëse luajnë të bashkuar, me shpirt, mund t’ia dalin.