Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar mbrëmë një darkë pune me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, ku u diskutuan çështje të rëndësishme për sigurinë në vend dhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe stabile, që është një parakusht për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit. Ajo rikonfirmoi rëndësinë e koordinimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, si dhe të institucioneve ndërkombëtare, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe sovranitetit të Kosovës.
Presidentja Osmani vuri në dukje rëndësinë e vazhdimit të takimeve të rregullta me komandantin e KFOR-it për të thelluar bashkëpunimin në fushën e sigurisë, duke përfshirë mbështetje për operacionet e KFOR-it dhe koordinimin me NATO-n.
Gjithashtu, Osmani shprehu mirënjohjen për përpjekjet e KFOR-it, veçanërisht për rritjen e numrit të trupave që mbështesin institucionet e Kosovës në patrullimin e kufirit me Serbinë. Ajo theksoi shqetësimet për rreziqet që paraqesin taktikat destabilizuese të Serbisë, si dhe mungesën e përgjegjësisë nga autoritetet serbe për aktet e agresionit të shtatorit 2023 dhe sulmet ndaj KFOR-it në maj të po atij viti.
Në përmbyllje të takimit, Presidentja Osmani dhe komandanti Barduani shprehën angazhimin e përbashkët për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe përparimin e bashkëpunimit në funksion të paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon.