Kryeministri Hristijan Mickoski ka nisur takimet me partnerët shqiptarë në Qeveri, pas tensioneve të fundit brenda koalicionit VLEN. Sipas burimeve të Alsat, deri në fund të javës pritet të sqarohet pozicioni i Arben Taravarit dhe mundësia e largimit të tij nga ekzekutivi.
Përfaqësues të koalicionit VLEN po kërkojnë që Taravari të largohet nga Qeveria, duke e cilësuar të papranueshme që ai të qëndrojë në pushtet ndërkohë që zhvillon komunikime politike me BDI-në, e cila aktualisht është në opozitë.
Kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, konfirmoi se dyshimet për koordinim mes Ali Ahmetit dhe Taravarit janë ngritur që në fund të vitit 2024, por u konfirmuan publikisht vetëm pas raportimeve mediatike.
“Në një takim në Prishtinë, Taravari e pranoi vetë se ka pasur komunikim dhe është dakorduar të vazhdojë koordinimin me Ahmetin për aktivitetet e ardhshme politike,” u shpreh Kasami.
Ndërkohë, Taravari ka deklaruar se kanale komunikimi mes ASH-së dhe BDI-së ekzistojnë, duke shtuar se edhe partitë e tjera të VLEN-it kanë kontakte të ngjashme — një pretendim që është hedhur poshtë nga BESA, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike.
Raportimet e Alsat bëjnë të ditur se kontaktet mes ASH-së dhe BDI-së nuk janë vetëm personale, por kanë arritur në nivel liderësh. Taravari dhe Ahmeti kanë zhvilluar një bisedë telefonike, që është konfirmuar nga të dy, edhe pse e cilësuar si “e shkurtër dhe pa rëndësi”.
Në kundërshtim me këtë qëndrim, Ziadin Sela, bashkëthemelues i ASH-së, ka zbuluar se ka pasur 2-3 takime ballë për ballë mes Taravarit dhe Ahmetit, informacion që ai thotë se ia ka dhënë vetë lideri i BDI-së.
Pavarësisht zhurmës mediatike, Taravari reagoi shkurt përmes një postimi në Facebook, ku shkroi:
“Busulla ime është populli – ndërgjegjja, zëri dhe forca ime.”
Në kampin opozitar, reagimet janë të forta. Burim Latifi, nga Lëvizja Demokratike, deklaroi se bashkëpunimi me BDI-në përbën “devijim të thellë” nga idealet për të cilat u krijua VLEN-i, një koalicion prej pesë subjektesh që synonte largimin e BDI-së nga pushteti.
Ironia, sipas kundërshtarëve të Taravarit, qëndron në faktin se ai vetë e kishte quajtur më herët BDI-në “kancer të shoqërisë”, dhe vetëm para pak muajsh, në Kuvend, kishte deklaruar se “çdokush ka turp të pranojë bashkëpunimin me BDI-në.” marrë nag zhurnal.mk