Të paktën 32 persona, përfshirë dy fëmijë, humbën jetën dhe 84 të tjerë u plagosën, mes tyre edhe dhjetë fëmijë, si pasojë e një sulmi raketor të forcave ruse në qytetin ukrainas Sumy. Lajmin e konfirmuan sot shërbimet e emergjencës ukrainase.
Sipas autoriteteve, sulmi ndodhi në qendrën e qytetit, në një moment kur shumë njerëz ishin të pranishëm për shkak të meshës së të Dielës së Palmave. “Një sulm i tmerrshëm raketor rus në Sumy. Sipas raporteve të para, dhjetëra civilë janë vrarë dhe plagosur,” deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një postim në rrjetet sociale.
Zelensky theksoi brutalitetin e sulmit, duke shtuar se ai ndodhi në një ditë të shenjtë për shumë ukrainas: “Vetëm bastardët mund të bëjnë një gjë të tillë në një ditë kur njerëzit shkojnë në kishë,” u shpreh ai.
Thirrje për reagim ndërkombëtar
Presidenti ukrainas u bëri thirrje aleatëve ndërkombëtarë që të reagojnë me vendosmëri ndaj agresionit rus. “Bota duhet të përgjigjet me vendosmëri. Ndaj Rusisë duhet mbajtur i njëjti qëndrim si ndaj organizatave terroriste. Bisedimet nuk e kanë ndalur kurrë zjarrin e raketave,” tha ai, duke cituar burime të BBC.
Pamje të rënda dhe zjarrfikës në terren
Pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë skena tronditëse nga vendi i ngjarjes: makina të shkatërruara, ndërtesa të dëmtuara dhe tym i dendur që ngrihet nga zona e goditur. Ekipet e zjarrfikësve vazhdojnë përpjekjet për të shuar flakët e shkaktuara nga shpërthimet.
Sipas shërbimeve të inteligjencës ukrainase, sulmi është kryer me raketa Iskander-M, të lëshuara nga rajonet ruse të Voronezh dhe Kursk. Raketat goditën një zonë pranë universitetit të qytetit.
Reagime ndërkombëtare
Sulmi është dënuar gjerësisht nga zyrtarët evropianë. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi në rrjetin “X” (ish-Twitter): “Rusia vazhdon fushatën e saj të dhunës, duke treguar edhe një herë se kjo luftë ekziston dhe po vazhdon sepse Moska ka zgjedhur kështu.”
Ndërkohë, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme, Kaja Kallas, paralajmëroi se Rusia po intensifikon sulmet, pavarësisht se Ukraina ka pranuar një propozim për armëpushim.
Sumy, nën kërcënim të vazhdueshëm
Rajoni i Sumyt është përballur me një intensifikim të sulmeve nga forcat ruse gjatë javëve të fundit. Qyteti, që ndodhet rreth 50 kilometra nga kufiri me Rusinë, konsiderohet një nga zonat më të rrezikuara në verilindje të Ukrainës. Autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar prej kohësh për një ofensivë të mundshme nga ana e Moskës në këtë rajon strategjik.