Terminali i parë i importit të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Gjermani ka filluar punën. Për herë të parë, LNG tani po futet në rrjetin gjerman të gazit si pjesë e një faze testimi. Gjërat po lëvizin edhe në Lubmin.
Një ditë përpara afatit, importuesi i gazit Uniper ka filluar vënien në punë të terminalit të parë të importit të LNG-së të Gjermanisë në Wilhelmshaven, në bregun gjerman të Detit të Veriut. Pak pas orës 9 të mëngjesit të së mërkurës, gazi i parë u furnizua nga anija terminale Höegh Esperanza në tubacionin lidhës të sapondërtuar të gazit, sipas kompanisë në Düsseldorf.
“Fakti që sot sasia e parë e gazit po kalon përmes terminalit tonë në Wilhelmshaven është dëshmi e mëtejshme e vendosmërisë, me të cilën po e çojnë përpara projektin të gjitha palët e përfshira. Tani po hyjmë në fazën e testimit, e cila duhet të përfundojë deri në fund të shkurtit”, tha kreu i planifikimit të investimeve në Uniper, Holger Kreetz.
Fillimisht, Uniper kishte planifikuar të fuste gaz në rrjetin gjerman të gazit për herë të parë më 22 dhjetor. Sipas një zëdhënësi të Uniperit, fakti që gjërat po ecin më shpejt vjen si pasojë e bashkëpunimit të ngushtë mes autoriteteve dhe kompanive për realizimin e terminalit.
Të shtunën e kaluar, kancelari Olaf Scholz e përuroi terminalin së bashku me udhëheqës të tjerë të qeverisë së koalicionit. Uniperi e operon terminalin me mbështetjen e qeverisë federale. Anija speciale Höegh Esperanza mbërriti të enjten e kaluar në Wilhelmshaven, e ngarkuar me rreth 165 mijë metra kub LNG dhe u ankorua në kalatën e re. Anija është zemra teknike e terminalit, e cila rigazinon gazin e lëngshëm të dërguar dhe e pompon atë në breg. Sipas Uniperit, sasia e LNG në bordin e anijes është e mjaftueshme për të furnizuar 50 mijë deri në 80 mijë shtëpi në Gjermani për një vit.