Që nga data 15 prill e deri më sot, gjithsej tetë seanca janë mbajtur në Kuvend me qëllim konstituimin e tij. Fillimisht pati probleme në verifikimin e mandateve, por kjo u zgjidh të shtunën e 21 prillit.
Më pastaj, kur radha erdhi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Vetëvendosja si parti e parë e propozoi Albulena Haxhiun për këtë post.
Pas gjashtë votimeve dhe gjashtë dështimeve, pesë herë me 57 vota e sot me veç 54 sosh, nuk duket as afër zgjedhja e kryetarit, të paktën jo nëse kandidate është Albulena Haxhiu.
Megjithatë, siç rikujon Insituti Demokratik i Kosovës (KDI), rrogat e deputetëve dalin nesër.
“Tetë seanca, disa minuta punë, asnjë rezultat”, shkruan KDI në Facebook.
Deputetët e Kosovës i kanë marrë mandatet e tyre dhe tash janë ‘komodë’. Nuk ka kurrfarë afati ligjor ose kushtetues që përcakton ndonjë kufizim në tentativat për zgjedhjen e kryetarit, me kusht që seanca të mos ndërpritet për më shumë se 48 orë./gazetametro.net