Grupi më i madh i mbështetësve të Kombëtares shqiptare, “Tifozat Kuq e Zi” (TKZ), ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale pas dënimit të dhënë nga FIFA, për shkak të sjelljes së tifozëve gjatë ndeshjes Shqipëri–Andorrë. Sipas TKZ-së, përgjegjësia për këtë situatë bie ekskluzivisht mbi Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF).
Në reagimin e tyre të fortë, TKZ e cilësoi vendimin si pasojë direkte të paaftësisë dhe mungesës së vizionit të FSHF-së, duke theksuar se federata nuk ka qenë në gjendje të organizojë siç duhet një ndeshje futbolli, ndërsa pretendon të organizojë Kampionate Evropiane.
“Turp! Ky është reagimi i vetëm i denjë për paaftësinë kronike dhe arrogancën e FSHF-së,” shkruhet në deklaratë.
Ata e akuzojnë federatën se në vend që të mbrojë tifozët dhe të garantojë një atmosferë sportive, ka vënë në lëvizje aparatin shtetëror kundër tyre, duke i trajtuar si kriminelë. Sipas TKZ-së, dënimi nga FIFA është “pasqyra e një sëmundjeje më të thellë” që lidhet me keqmenaxhimin dhe politikat përjashtuese të FSHF-së.
Grupi gjithashtu kritikoi çmimet e larta të biletave, zhvendosjet e paarsyeshme të ndeshjeve dhe kërcënimet për mbyllje sektorësh në stadiume, duke i quajtur këto si përpjekje për të larguar tifozët e vërtetë nga Kombëtarja.
“Ky nuk është thjesht një dënim – është një pasqyrë e qartë e dështimit total të FSHF-së për të mbrojtur futbollin, tifozët dhe imazhin e Shqipërisë,” përfundon reagimi i TKZ-së, duke bërë thirrje për mbajtje përgjegjësie dhe dëgjim të zërit të tifozëve.