Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare, të kryera gjatë periudhës së viteve 1998-1999. Arrestimet janë rezultat i një hetimi të gjatë nga autoritetet hetimore dhe janë bërë publike në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Ngjarja është klasifikuar si “Krime lufte kundër popullatës civile”, dhe ka ndodhur në komunat e Prishtinës dhe Lipjanit. Sipas raportit zyrtar, pas intervistimit dhe me vendim të Prokurorisë Speciale, tre të dyshuarit janë dërguar në qendrën e ndalimit për 48 orë.
Dy nga të dyshuarit, B.T. (mashkull) dhe N.Ç. (femër), janë arrestuar në qytetin e Lipjanit në dy lokacione të ndara. I dyshuari i tretë, M.I. (mashkull), është ndaluar më vonë në Prishtinë.
Sipas informacioneve të hetimit, të dyshuarit akuzohen për përfshirje në tortura fizike dhe psikologjike, rrahje dhe maltretim të civilëve shqiptarë të ndaluar gjatë luftës. Ata dyshohet se kanë ushtruar këto veprime ndërsa shërbenin si gardianë dhe zyrtarë korrektues në Burgun e Prishtinës dhe Qendrën Korrektuese të Lipjanit.
Hetimet për rastin vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Autoritetet kanë paralajmëruar se do të ndërmerren hapa të mëtejshëm për ndriçimin e plotë të ngjarjes dhe ndjekjen penale të personave përgjegjës.