Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur sërish dëshirën e tij për bashkimin e Kanadasë me SHBA-në, duke e quajtur këtë një mundësi për të krijuar një “komb të madh”. Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, i cili u krijua pasi Twitter dhe Facebook hoqën profilet e tij pas ngjarjeve të 6 janarit, Trump ka theksuar se shumë kanadezë dëshirojnë të bëhen shteti i 51-të i SHBA-së.
“Shumë kanadezë duan të bëhen shteti i 51-të federal i SHBA-së. SHBA nuk mund të vuajë më deficitet e mëdha tregtare dhe subvencionet që i duhen Kanadasë për të mbijetuar”, ka shkruar Trump. Ai gjithashtu ka sugjeruar se ekonomia kanadeze mund të jetë në përkeqësim për shkak të këtyre deficiteve, duke shtuar se një bashkim me SHBA-në do të eliminonte tarifat dhe do të ofronte taksa më të ulëta.
“Kanada do të ishte plotësisht e sigurt nga rreziku që paraqesin anijet ruse dhe kineze,” ka theksuar Trump, duke sugjeruar se një bashkim do të përforconte sigurinë dhe do të krijonte një komb të fortë dhe të suksesshëm. Ai gjithashtu ka vënë në dukje se, sipas tij, Justin Trudeau, kryeministri i dorëhequr i Kanadasë, e dinte këtë dhe u tërhoq nga posti për të mundësuar një të ardhme më të mirë për vendin.
Trump ka qenë i njohur për ambiciet e tij ekspansioniste në politikën ndërkombëtare, duke e befasuar shpesh komunitetin global me deklaratat e tij. Një tjetër shembull ishte kur ai sugjeroi blerjen e Grenlandës dhe njëkohësisht tregoi interes për kthimin e Kanalit të Panamasë nën kontrollin e SHBA-së nëse autoritetet e Panamasë nuk do të ulën çmimet për përdorimin e tij.
Këto deklarata të Trump po vazhdojnë të ngjallin reagime të përziera në komunitetin ndërkombëtar dhe kanë nxitur diskutime të shumta rreth politikës ekspansioniste të administratës së tij.