Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, janë angazhuar në një bisedë telefonike për një armëpushim të mundshëm në Ukrainë, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino, tha se bisedimet po shkonin mirë dhe ende ishin në zhvillim, pas rreth një ore bisedë telefonike.
Ky është takimi i dytë telefonik mes dy liderëve, ku tema kryesore e diskutimit është lufta në Ukrainë. SHBA-ja po kërkon përfundimin e shpejtë të konfliktit dhe ka propozuar një armëpushim 30-ditor, i cili është mbështetur nga Kievi, ndërsa Putin ka shprehur mbështetje në parim, por me disa rezerva.
Në bisedën e tij me gazetarët, Trump tha: “Ne duam të shohim nëse mund t’i japim fund kësaj lufte. Ndoshta mundemi, ndoshta nuk mundemi, por mendoj se kemi një shans shumë të mirë.” Ai gjithashtu njoftoi se gjatë fundjavës ishte arritur përparim dhe se do të fliste me Putin përsëri sot.
Trump theksoi se bisedimet po përfshinin tematikat e territorit dhe termocentraleve, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se biseda telefonike mes dy presidentëve do të zhvillohej nga ora 16:00 deri në 18:00 me orën e Moskës. Peskov shtoi se biseda do të përfshinte një sërë çështjesh, përfshirë normalizimin e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe zhvillimet në Ukrainë.