Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se administrata e tij po zhvillon negociata me Kinën për çështjen e tarifave tregtare, dhe se presidenti kinez Xi Jinping e ka telefonuar për këtë temë. Komentet e Trump u bënë gjatë një interviste për revistën Time, e publikuar të premten.
“Presidenti Xi më telefonoi. Nuk mendoj se është një shenjë dobësie nga ana e tij”, tha Trump, pa dhënë detaje se kur ndodhi telefonata apo për çfarë konkretisht u diskutua.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kinës nuk ka dhënë ndonjë koment zyrtar mbi deklaratat e Trump. Më herët, kjo ministri kishte kritikuar Uashingtonin, duke e akuzuar për “mashtrim publik” në lidhje me negociatat për tarifat.
Trump tha se pret që negociatat me Kinën të përfundojnë brenda tre ose katër javësh. Kur u pyet nëse do ta quante fitore vendosjen e tarifave 50% brenda një viti, ai u përgjigj: “Një fitore e plotë.”
Përveç çështjes me Kinën, Trump foli edhe për planet e tij për marrëveshje ndërkombëtare në raste të ndryshme, përfshirë luftën në Ukrainë, marrëdhëniet me Iranin dhe Lindjen e Mesme. Ai deklaroi se Krimea “do të mbetet Rusi”, duke shtuar se “Zelensky e kupton këtë dhe të gjithë e kuptojnë se është ruse për një kohë të gjatë.”
Sa i përket Lindjes së Mesme, Trump u shpreh i bindur se Arabia Saudite do t’i bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit, të cilat u nënshkruan gjatë presidencës së tij mes Izraelit dhe disa shteteve arabe.
Ai shtoi gjithashtu se pret një marrëveshje të mundshme edhe me Iranin.