Një javë e trazuar për ekonominë globale pas vendimeve të Presidentit amerikan Donald Trump për tarifat tregtare ka shkaktuar reagime të forta në tregjet financiare dhe në qeveritë e vendeve partnere. Ndërsa çmimi i arit është rritur ndjeshëm – një shenjë e pasigurisë së investitorëve – vendet si Kina, Bashkimi Evropian dhe Australia po përgatiten për bashkëpunim të ngushtë në përballje me ndikimet e politikave tregtare të SHBA-së.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tentoi të qetësonte situatën gjatë një takimi kabineti të enjten, duke deklaruar se mbi 75 vende kanë shprehur interes për të nisur bisedime tregtare me SHBA-në. Edhe vetë Trump shprehu optimizëm për një marrëveshje të mundshme me Kinën.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, pasiguria vijon të mbizotërojë në tregjet globale. Indeksi amerikan S&P 500 pësoi një rënie prej 3.5% të enjten, duke shënuar një ulje totale prej rreth 15% krahasuar me kulmin e tij në shkurt. Rëniet vazhduan edhe në tregjet aziatike – Nikkei i Japonisë ra me gati 5%, ndërsa tregjet e Hong Kongut u drejtuan për humbjen më të madhe javore që nga viti 2008.
Trump përkohësisht pezulloi tarifat për disa dhjetëra vende për një periudhë 90-ditore, por përshkallëzimi i konfliktit me Kinën – ekonomia e dytë më e madhe në botë – ka rritur frikën për recesion dhe kundërmasa.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se SHBA ka rënë dakord me Vietnamin për të filluar bisedime zyrtare tregtare. Ndërkohë, Vietnami po shqyrton ndalimin e tranzitit të mallrave kineze drejt SHBA për të shmangur tarifat. Kryeministri japonez, Shigeru Ishiba, planifikon të vizitojë Uashingtonin për të negociuar një zgjidhje. Edhe Tajvani ka shprehur dëshirën për të qenë pjesë e grupit të parë të partnerëve tregtarë të SHBA-së.
Në një zhvillim të fundit, Trump vendosi tarifa të reja mbi mallrat kineze, në një nivel të lartë prej 145%, si ndëshkim për masat hakmarrëse të Pekinit. Megjithatë, ai shprehu shpresë për një marrëveshje duke thënë: “Jam i sigurt se do të shkojmë shumë mirë. E respektoj presidentin Xi Jinping dhe besoj se do të punojmë për diçka të mirë për të dy vendet.”
Nga ana tjetër, Kina ka reaguar ashpër ndaj asaj që e konsideron shantazh nga SHBA, duke kufizuar importet e filmave të Hollivudit.
Pauza e tarifave nuk përfshin Kanada-n dhe Meksikën, të cilat ende përballen me tarifa të larta për mallra që lidhen me substanca si fentanili. Ekspertët e Goldman Sachs vlerësojnë mundësinë e një recesioni amerikan në 45%, ndërsa Universiteti Yale thekson se tarifat aktuale të importit janë më të lartat në mbi një shekull.
Bashkimi Evropian, megjithëse kishte planifikuar kundërmasa për importet amerikane me vlerë rreth 21 miliardë euro, ka sinjalizuar gatishmëri për të pezulluar masat dhe për të negociuar. Ministrat e financave të BE-së do të mblidhen për të diskutuar si të shfrytëzojnë pauzën për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm dhe për të koordinuar qëndrimin e përbashkët ndaj Uashingtonit.
Ekspertët evropianë vlerësojnë se tarifat amerikane mund të ulin PBB-në e BE-së me 0.5 deri në 1 përqind, duke rrezikuar ta fusin ekonominë në recesion, përkundër parashikimeve pozitive të Bankës Qendrore Evropiane për një rritje prej 0.9%.