Në një ceremoni të veçantë inaugurimi, Donald Trump u betua si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shprehur vizionin e tij për një Amerikë më të fortë dhe më krenare. Në fjalimin e tij, Trump ndau momente personale dhe deklarata të forta që e karakterizojnë stilin e tij të veçantë.
Trump u ndal te një sulm me armë zjarri ndaj tij disa muaj më parë, duke theksuar se Zoti e kishte shpëtuar nga vdekja për t’i dhënë mundësinë të “bënte Amerikën sërish të madhe.”
“Nga sot, Amerika në vend të parë”
Në vijim të fjalimit, presidenti Trump u zotua për ndryshime të mëdha. “Nga sot vendi ynë do të respektohet në të gjithë botën. Do të krijojmë një vend krenar dhe të fortë. Unë do ta vendos Amerikën të parën,” tha Trump me tone të sigurta.
Ai kritikoi sistemin arsimor aktual, duke e cilësuar si të dëmshëm për vlerat kombëtare. “Sot kemi një sistem arsimor që i mëson fëmijëve të kenë turp për veten apo të urrejnë vendin tonë. E gjithë kjo do të ndryshojë, duke nisur nga sot,” premtoi ai.
“Fund tradhtive dhe kthim te liria”
Trump theksoi angazhimin e tij për të rivendosur besimin dhe lirinë në Amerikë. “Zgjedhja ime është për të ndryshuar tradhtitë që kanë ndodhur dhe për t’i kthyer popullit tonë lirinë, besimin dhe demokracinë,” u shpreh ai.
Ai shtoi se sfidat që ka hasur në këtë rrugëtim kanë qenë të shumta. “Jam sfiduar shumë dhe kam mësuar që rrugëtimi për të rimarrë republikën tonë nuk është i lehtë. Janë përpjekur edhe për të më marrë jetën, një plumb goditi veshin tim, por unë besoj se Zoti më shpëtoi për ta bërë Amerikën sërish të madhe,” tha Trump, duke përfunduar fjalimin me një mesazh force dhe optimizmi.
Lajmi u raportua nga agjencitë ndërkombëtare dhe fjalimi i Trump pritet të ngjallë debat në arenën politike dhe sociale.