Twitter u ka thënë punonjësve se ndërtesat ku ndodhen zyrat e kompanisë do të mbyllen përkohësisht, vendim i cili ka hyrë menjëherë në fuqi. Në një mesazh të parë nga BBC, punëtorëve iu është thënë se zyrat do të rihapen të hënën e 21 nëntorit.
Kompania e rrjeteve sociale nuk dha ndonjë arsye për lëvizjen. Njoftimi për mbylljen e përkohshme të zyrave vjen mes raporteve se një numër i madh i stafit po largoheshin pasi pronari i ri Elon Musk u bëri thirrje atyre që ose të regjistroheshin për “orë të gjata me intensitet të lartë” ose të largoheshin nga puna.
Në mesazh tutje shkruhej: “Ju lutemi të vazhdoni të pajtoheni me politikën e kompanisë duke u përmbajtur nga diskutimi i informacionit konfidencial të kompanisë në rrjetet sociale, me shtypin ose gjetkë”, ndërsa Twitter nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment në lidhje me mesazhin, kërkesë kjo e bërë nga BBC, transmeton Telegrafi.
Ata që nuk u regjistruan deri të enjten më 17 nëntor, do t’u jepet pagesa e tre muajve, tha Musk.
Punonjësit kanë postuar në Twitter duke përdorur hashtagun #LoveWhereYouWorked dhe një emoji përshëndetëse për të treguar se po largoheshin nga firma.
Një ish-punonjës në Twitter, i cili dëshironte të mbetej anonim, tha për BBC: “Unë mendoj se kur pluhuri të pastrohet sot, ndoshta do të mbeten më pak se 2,000 njerëz.”
Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me shqetësimet se Twitter ishte në prag të mbylljes pasi u dërgua mesazhi për mbylljen e zyrave të Twitter, Musk shkroi në Twitter: “Njerëzit më të mirë po qëndrojnë, kështu që nuk jam shumë i shqetësuar”.
Në disa postime të ndara të bëra në Twitter, Elon Musk postoi një emoji me kafkë dhe kocka të kryqëzuara dhe një meme që tregonte një gur varri me logon e Twitter të vendosur në të. /Telegrafi/