UEFA ka hapur një hetim zyrtar për dyshime mbi manipulimin e një ndeshjeje në Ligën e Konferencës, ku përfshihet edhe klubi malazez Arsenal Tivat. Ndeshja në fjalë u zhvillua në verën e vitit 2023 kundër ekipit armen Alashkert, dhe përfundoi me rezultatin 6-1 në favor të skuadrës armene.
Dyshimet për trukim u publikuan fillimisht nga televizioni shtetëror polak TVP, vetëm pak ditë pas përfundimit të ndeshjes, duke pretenduar se kishte indikacione serioze për manipulim.
Rreth njëzet muaj më vonë, UEFA ka nisur hetimet për rastin, dhe sipas raportimeve nga Radio Televizioni i Malit të Zi, disa futbollistë dhe zyrtarë të klubit nga Tivati janë marrë në pyetje në selinë e UEFA-s në Nyon, Zvicër. Deri më tani, UEFA nuk ka dhënë një vendim përfundimtar, pasi procesi është ende në zhvillim.
Megjithatë, Shoqata e Futbollit të Malit të Zi dhe vetë klubi janë njoftuar për hapat e ndërmarrë. Nëse hetimet vërtetojnë manipulimin e ndeshjes, Arsenali i Tivatit rrezikon një ndëshkim të rëndë – përfshirë mundësinë e përjashtimit nga garat evropiane.