Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së Fitër Bajramit, ka dërguar urimet më të ngrohta për besimtarët myslimanë, duke shprehur gëzimin dhe përkushtimin e tij për këtë festë të bekuar.
Të nderuar vëllezër dhe motra, të dashur qytetarë!
Vetëm pak orë na ndajnë nga festimi i Fitër Bajramit, dhe me këtë rast, kam kënaqësinë që të ju drejtohem në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, institucioneve të saj, dhe në emrin tim personal, me urimet më të mira. Kam besimin dhe shpresën që kjo festë do të na bashkojë dhe do ta përjetojmë me gëzim e shpirtërisht në ambientet tona të ngrohta familjare dhe shoqërore.
Në natën e Bajramit, besimtarët myslimanë hyjnë në atmosferën e festës, të gëzuar që kanë kryer një prej urdhrave të Zotit – agjërimin e muajit Ramazan. Ky është një ibadet i pasur dhe i veçantë, që kryhet vetëm për Zotin e Gjithësisë.
Vëllezër dhe motra!
Ceremonia e Fitër Bajramit është një moment bashkimi për besimtarët, që fillon me faljen e namazit të Bajramit dhe vazhdon me urimet dhe përgëzimet më të mira, përqafimet e ngrohta me familjarët dhe të dashurit, si dhe me shijimin e sofrës së Bajramit. Ky është një moment i veçantë, që simbolizon reflektimin dhe bashkimin familjar dhe shoqëror.
Zoti i Madhërishëm thotë: “Ka shpëtuar ai që është pastruar, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!” (El Aë’la, 15).
Fitër Bajrami është një dhuratë prej Zotit për përkushtimin dhe adhurimin e shtuar gjatë muajit të bekuar Ramazan, një festë që na sjell paqe, harmonizim dhe mirësinë mes nesh. Ky muaj i agjërimit na ka mbushur zemrat me një ndjenjë të veçantë paqeje, qetësie, dhe krenarie, dhe festa e Bajramit është mundësi për të shprehur mirënjohjen dhe gëzimin për arritjen e pastrimit shpirtëror.
Fitër Bajrami është një festë bashkuese, që simbolizon triumfin shpirtëror dhe momentin e reflektimit, si dhe bashkimin e myslimanëve në mbarë botën. Ky moment i gëzimit shpreh faljen, mirësinë dhe bashkimin familjar dhe shoqëror, duke theksuar vlerat e solidaritetit, dashurisë dhe respektit.
Të dashur vëllezër dhe motra, gjatë kësaj feste zemrat bashkohen dhe njerëzit bëjnë më shumë përpjekje për të shpërndarë bekimin dhe gëzimin e Bajramit në çdo familje. Kjo është një mundësi për të kultivuar paqen dhe mirëkuptimin, dhe për të promovuar vëllazërinë dhe harmoninë mes nesh.
Për fëmijët tanë, festa e Fitër Bajramit ka një rëndësi të veçantë. Ky është një moment i shkëlqyer për t’iu mësuar atyre vlerat universale dhe porositë hyjnore të Bajramit, duke i ftuar ata që të shijojnë festën dhe të kujtojnë traditat pozitive të besimit tonë.
Vëllezër dhe motra, festa e Fitër Bajramit ka pasur gjithmonë një rëndësi të veçantë te populli ynë, duke ruajtur traditat dhe vlerat e solidaritetit, respektit dhe mirësisë. Ky është një moment për të falënderuar Zotin për mundësinë që na dha të agjërojmë dhe të kërkojmë paqe dhe lumturi për veten, familjen dhe për besimtarët mbarë.
Urime festa e Fitër Bajramit për të gjithë besimtarët tanë, kudo që ata gjenden!
Myftiu i Kosovës,
Naim ef. Tërnava