Gazetarja ukrainase Olga Priadko, 51 vjeç, ka ndërruar jetë në banesën e saj në Prishtinë, njoftoi të mërkurën Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). Priadko ishte pjesë e programit “Gazetarët në rezidencë – Kosova” dhe jetonte në kryeqytetin kosovar prej më shumë se dy vitesh, së bashku me djalin e saj, Yaroslavin.
E detyruar të largohej nga Ukraina për shkak të luftës, Priadko gjeti strehim në Kosovë, ku vazhdoi angazhimin e saj profesional në fushën e gazetarisë.
“AGK dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) shprehin ngushëllimet më të thella për familjen dhe miqtë e gazetares Priadko. Përkushtimi i saj në gazetari do të kujtohet dhe nderohet nga të gjithë ata që punuan me të,” thuhet në njoftimin e AGK-së.
Largimi i parakohshëm i Priadkos ka lënë një boshllëk në komunitetin e gazetarëve në Kosovë, duke theksuar edhe një herë sfidat dhe sakrificat që shoqërojnë profesionin e gazetarisë.