Deri në fillim të vitit, çmimi ka qenë 35 centë. Në atë kohë ka pësuar rritje vende-vende deri në 50 centë.Por, ditëve të fundit, në disa furra të Gjilanit – qytet në lindje të Kosovës – çmimi i një buke që peshon mbi 500 gramë, është rritur nga 50 në 60 centë.
Pronari i furrës “Shqiponja” atje, Përparim Maloku, thotë se janë disa faktorë që kanë çuar në shtrenjtim:
“…ngritja e çmimit të miellit dhe produkteve të tjera, por edhe mungesa e punëtorëve. Shumica e punëtoreve po kërkojnë të lëshojnë Kosovën dhe për t’i mbajtur në punë, duhet t’i rrisim pagat mujore”, thotë Maloku për Radion Evropa e Lirë.
Ndryshe prej Gjilanit, në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, nuk ka pasur lëvizje të çmimit të bukës së voni. Rritja e fundit ka qenë në fillim të këtij viti. “Çmimi i bukës nuk ka ndryshuar, 50 centë kushton. Çmimi nuk është i arsyeshëm, por çka të bëjmë”, thotë Besmir Martinaj, pronar i furrës “Lindi” në lagjen “Dardania”.
Kosova është përballur me rritje çmimesh të produkteve dhe shërbimeve nga fundi i vitit të kaluar, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Hov më të madh atyre u ka dhënë pushtimi rus i Ukrainës, i cili ka nisur në fund të shkurtit.
Si Rusia, ashtu edhe Ukraina janë ndër eksportueset më të mëdha të drithërave në botë dhe lufta mes tyre ka shkaktuar çrregullime në tregje. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit në muajin maj të këtij viti ka arritur në 12.5 për qind, nga 0.2 për qind sa ka qenë në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Dhe, barra më e madhe e kësaj bie mbi qytetarë. Disa e kanë pensionin minimal 100 euro, e disa rrogën minimale nga 130 deri në 170 euro.
“Unë pensionin si vjet, si sivjet, e marr 100 euro në muaj. Me rritjen e çmimeve, pensioni është zvogëluar. Qeveria duhet t’i mbështesë bizneset që të mos i rrisin çmimet”, thotë Kurteshi.