Dy asamblistët në Kuvendin komunal të Prishtinës, Berat Lahu dhe Edmond Azemi janë tërhequr nga grupi i asamblistëve të VV-së.
Para seancës së sotme të Kuvendit Komunal, Lahu dhe Azemi janë pozicionuar si të pavarur.
ë dy asamblistët të cilët fituan ulëse në Asamblenë Komunale duke garuar me Lëvizjen Vetëvendosje, ishin përballur me presion direkt nga Gëzim Sveçla, shefi i asamblistëve të LVV-së, në fund të vitit të kaluar kur vendosën të votojnë buxhetin për vitin 2025.
Disa video që tregonin përplasjen në mesin e seancës së jashtëzakonshme për votimin e buxhetit për vitin 2025, kishin bërë bujë në media.
Lahu e akuzoi Sveçlën për qëndrimin në sallë të asamblistëve të LVV-së në janar të vitit 2024, për t’ia mundësuar pushtetit të Përparim Ramës kuorumin për këmbimin e pronave të ish-bashkëpunëtorëve të tij në projektin e Badovcit, ku nuk lejohen ndërtimet, me një pronë komunale që ka vlerë rreth 20 milionë euro. Projekti më vonë ishte anuluar.