Në 19-vjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, Presidentja Vjosa Osmani, së bashku me bashkëshortin, këshilltarët e kabinetit dhe ambasadorët e akredituar në Republikën e Kosovës, ka zhvilluar homazhe në varrin e tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani e vlerësoi Rugovën si udhëheqësin vizionar që drejtoi popullin e Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Ati themeltar shquhej për vizionin e tij largpamës për një Kosovë të lirë”, tha Osmani, duke nënvizuar se ai mbetet një figurë simbolike e paqes dhe e lirisë.
Ibrahim Rugova, një intelektual dhe lider me ndikim të jashtëzakonshëm, u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në vitin 1988. Kjo organizatë u shndërrua në një bërthamë të fuqishme të lëvizjes shqiptare kundër regjimit komunist serb dhe jugosllav.
Më 23 dhjetor 1989, Rugova u emërua kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partia e parë politike në Kosovë që sfidoi hapur sundimin komunist. Në mars të vitit 2002, ai u zgjodh president i Kosovës dhe u rizgjodh për një mandat tjetër më 2004.
Rugova ndërroi jetë më 21 janar 2006, duke u varrosur me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake. Figura e tij mbetet frymëzim për brezat e rinj dhe një simbol i përpjekjes për një Kosovë të lirë dhe të pavarur.