Një protestë masive antiqeveritare po zhvillohet në Serbi, e organizuar nga studentët, dhe ka ‘‘bllokuar’’ Beogradin.
Analisti i njohur serb, Dushan Janjiq, ka komentuar këto protesta, duke thënë se Vuçiq ka marrë paralajmërime nga Kombet e Bashkuara dhe Komisioni Evropian.
“Vlerësimet joformale tregojnë se në protestat në Beograd marrin pjesë 400.000–500.000 njerëz”, thotë Dushan Janjiq.
Nga ana tjetër, institucionet shtetërore, konkretisht Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, kanë deklaruar se, sipas vlerësimeve policore, në protestat e studentëve në të gjitha lokacionet në Beograd kanë marrë pjesë rreth 107.000 persona, shumica prej të cilëve kanë ardhur nga rrethinat.
Sipas autoriteteve, numri i protestuesve është në rënie të vazhdueshme.
Mediat serbe raportojnë se deri tani nuk ka pasur incidente apo shkelje të rendit dhe qetësisë publike.
Njëkohësisht, pjesëmarrësve të tubimit u bëhet thirrje që edhe në orët në vijim të ruajnë qetësinë dhe dinjitetin, në frymën e përgjegjësisë qytetare dhe duke respektuar ligjin.
“Prioriteti absolut i pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme është siguria e të gjithë qytetarëve, mbrojtja e rendit dhe qetësisë publike, jetës dhe pronës. Ata do të bëjnë gjithçka, në përputhje me kompetencat e tyre, për ta përmbushur këtë detyrë në nivelin më të lartë”, thuhet në njoftimin e MPB-së së Serbisë.