Volkswagen do të realizojë një ulje të konsiderueshme të pagave për menaxhmentin e saj, si pjesë e masave për uljen e kostove dhe përballimin e sfidave ekonomike. Sipas deklaratës së Gunnar Kilian, anëtar i bordit të menaxhimit të burimeve njerëzore të Volkswagen, kompania synon të kursejë më shumë se 300 milionë euro deri në vitin 2030. Ky plan është pjesë e një përpjekje të gjerë për të ristrukturuar biznesin dhe për të përballuar periudhën e vështirë që po kalon grupi.
Kilian nuk dha detaje të sakta se për sa anëtarë të menaxhmentit do të aplikohet ulja dhe çfarë përqindjeje do të preken pagat, por ai bëri të ditur se bordi i drejtorëve të Volkswagen do të marrë një ulje më të madhe të pagës krahasuar me pjesën tjetër të menaxhmentit dhe punonjësve. Kjo masë vjen pas kërkesave të sindikatave gjatë negociatave, të cilat kërkuan që menaxhmenti të merrte pjesën e tij të uljes së kostove, duke vënë në dukje se vendimet strategjike të dobëta kanë ndikuar në gjendjen e kompanisë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Volkswagen dhe sindikatat arritën një marrëveshje historike për të ulur kostot. Pjesë e kësaj marrëveshjeje është zvogëlimi i kapacitetit të fabrikave gjermane të kompanisë dhe reduktimi i numrit të punonjësve me 35,000 deri në vitin 2030. Aktualisht, rreth 130,000 persona janë të punësuar në grupin Volkswagen.
Përmes këtyre masave, Volkswagen pritet të kursente 15 miliardë euro në vit në afat të mesëm, prej të cilave 1.5 miliardë euro do të jenë kursime në kosto të punës. Ky plan synon të stabilizojë financat e grupit dhe të përballojë më mirë sfidat që ka para vetes në një periudhë të vështirë për industrinë e automobilave.