Përveç që përsëriti edhe një herë se të gjitha kërkesat e studentëve që janë në bllokadë “janë përmbushur”, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shkuar një hap më tej. Ai ka thënë se kërkesa e fundit është “absurde”, por edhe se, sipas tij, është “drejtpërdrejt e Kurtit”.
„Që në dhjetor gjithçka e kisha të qartë dhe duhej të fillonim më herët kundërshtimin politik, sepse bënim sikur besonim se ekzistojnë disa kërkesa. Sa më shumë bie fuqia e bllokuesve, aq më të shumë zgjerohen kërkesat“, ka thënë ai në televizionin në shërbim të regjimit të tij, “TV Pink”
Ai u ndal edhe te kërkesa e fundit e studentëve – e gjashta – që ka të bëjë me përgjegjësinë e atyre që lejuan vizitën e Vuçiqit dhe gazetarëve te pacientët në QKUS në Beograd, të cilët po trajtohen nga pasojat e zjarrit në një klub nate në Koçan, transmeton Paparaci.
„Kërkesa e gjashtë është absurde… Kjo kërkesë është drejtpërdrejt e Kurtit, ai e thirri një nga shërbëtorët e tij në qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe i urdhëroi të nxirrte një komunikatë kundër meje, dhe këta si budallenj u kapën në të dhe po pyesin kush më lejoi të vizitoj pacientët“, ka thënë Vuçiqi, por pa dhënë ndonjë detaj tjetër.
Deklarata të ngjashme ai i dha edhe në një intervistë për televizionin Newsmax Balkans, po ashtu pa sqaruar se kush është ai ministër dhe çfarë lidhje ka Kurti me studentët në bllokadë.
„Ministri në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe miku i Kurtit më ka sulmuar pa asnjë arsye që vizitova qytetarët e Maqedonisë së Veriut, dhe pastaj kjo u bë kërkesa e gjashtë e studentëve. Pra, është drejtpërdrejt e prodhuar nga Kurti“, ka thënë Vuçiqi.
Presidenti serb gjithashtu ka deklaruar se „kërkesat e studentëve janë përmbushur prej kohësh“, ndërsa udhëtimin e studentëve me biçikleta drejt Strasburgut e quajti „shfaqje për masat e gjëra popullore“./Paparaci.com